Kryetari i Këshillit Komunal të Tearcës, Besnik Osmani, ka reaguar përmes një deklarate të ashpër ndaj akuzave të fundit për vendosjen e tabelave informuese përgjatë rrugës Nerasht-Dobrosht vetëm në gjuhën maqedonase. Ai i ka quajtur këto akuza si propagandë politike dhe spekulime që nuk kanë bazë ligjore, duke sqaruar të gjitha procedurat e ndjekura për realizimin e këtij projekti.
Sipas Osmanit, projekti i asfaltimit të rrugës Nerasht-Dobrosht me gjatësi 2.2 kilometra është ndjekur në përpikëri sipas ligjeve në fuqi, duke përfshirë miratimin si prioritet nga Këshilli Komunal dhe financimin e plotë nga buxheti i komunës në vlerë prej rreth gjysmë milioni euro.
🔴 Sqarim mbi procedurat e ndjekura
Osmani theksoi se:
1️⃣ Kompania fituese e tenderit është ndërmarrja “Pellagonija”, e cila ka përgjegjësinë për realizimin e punimeve, përfshirë vendosjen e tabelave informuese.
2️⃣ Me datë 20 nëntor 2024, Komuna e Tearcës ka kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë – miratim për regjimin e përhershëm të komunikacionit për rrugën lokale Nerasht-Dobrosht.
3️⃣ Me datë 13 dhjetor 2024, është marrë miratimi nga SPB-Tetovë, dokument i nënshkruar nga kryeshefi Rijat Ali.
🔵 Tabelat e përkohshme nuk janë përgjegjësi e Komunës
Osmani sqaroi se tabelat informuese të përkohshme janë vendosur nga kompania “Pellagonija” dhe janë bazuar në pëlqimin e dhënë nga SPB-Tetovë, dikaster që, sipas tij, drejtohet nga një kuadër i Lëvizjes Besa.
“Absurditet në vete është të akuzosh Komunën e Tearcës për mosrespektim të dy gjuhësisë kur vendosja e këtyre tabelave të përkohshme nuk është nën kompetencën tonë. Përgjegjësinë për këtë lëshim ta kërkoni tek vetja dhe qeverisja juaj që solli ‘ndryshimin’,” tha Osmani.
🔜 Zotohemi për punë, jo për fjalë
Osmani e përmbylli reagimin e tij duke thënë se projekti do të përfundojë në kohë dhe me standarde evropiane. Ai shtoi se qytetarët e Tearcës dinë të vlerësojnë punën konkrete dhe do të ndajnë argumentet nga propagandat.
_“Dielli nuk mbulohet me shoshë. Projekti i rrugës Nerasht-Dobrosht është vetëm fillimi, dhe shumë projekte të tjera janë në rrugë e sipër. Për ata që zgjedhin fjalët e pavërteta, ne ju lëmë në botën tuaj të spekulimeve. Qytetarët do ta bëjnë zgjedhjen e tyre bazuar në punën konkrete,” përfundoi ai.

