Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se “Kuba është e radhës” gjatë një fjalimi në një forum investimesh në Miami, ku lavdëroi suksesin e veprimeve ushtarake amerikane në Venezuela dhe Iran.
Ai nuk sqaroi konkretisht se çfarë planifikon për këtë shtet ishullor, por shpesh ka theksuar se beson se qeveria në Havana, e përballur me një krizë të thellë ekonomike, ndodhet pranë kolapsit.
Në javët e fundit, administrata e tij ka hapur bisedime me pjesë të udhëheqjes kubane, ndërsa vetë Trump ka lënë të kuptohet se edhe një ndërhyrje ushtarake mbetet e mundur.
– Unë e ndërtova këtë ushtri të madhe. Thashë: “Nuk do t’ju duhet kurrë ta përdorni”. Por ndonjëherë duhet ta përdorni. Dhe Kuba, meqë ra fjala, është e radhës. Por bëni sikur nuk e thashë këtë – u shpreh Trump.
Presidenti kuban, Miguel Díaz-Canel, konfirmoi se vendi po zhvillon bisedime me Shtetet e Bashkuara për të shmangur një përballje të mundshme ushtarake. Ekonomia kubane është goditur rëndë nga ndërprerjet në importin e naftës, nga e cila varet funksionimi i termocentraleve dhe transportit.
Para operacionit amerikan në të cilin u arrestua ish-lideri venezuelian Nicolás Maduro në janar, Venezuela siguronte një pjesë të madhe të nevojave të Kubës për naftë. Megjithatë, qeveria e re në Caracas, nën presionin e Shteteve të Bashkuara, ka pezulluar këto furnizime.
Më herët gjatë marsit, Trump deklaroi se Kuba mund të bëhet objekt i një “marrjeje miqësore”, për të shtuar më pas: “Ndoshta nuk do të jetë një marrje miqësore”.










