Dhjetëra nxënës filloristë në Kumanovë tash e dy muaj mbeten pa transport, ndonëse ju takon me ligj. Kjo pasi që Komuna ka përjashtuar nga lista ata fëmijë që me adresa janë në perimetrin 2 kilometra larg shkollave më të afërta. Prindërit e tyre ankohen duke na dëshmuar edhe me hartë se u kanë bërë padrejtësi dhe kërcënojnë me bojkot të mësimit nga 1 shkurti.
Një nga shkollat më të prekura nga ky problem është fillorja “Bajram Shabani”. Drejtori i kësaj shkolle iu bënë thirrje prindërve të dorëzojnë kërkesat e reja.
“Nxënësit që i plotësojnë kushtet prej 2 kilometra janë evidente, duhet të dorëzojnë deri te shkollat kërkesat dhe pastaj shkolla i miraton duke formuar komision, i cili i verifikon në bazë të Ligjit për arsim fillor. Veprimet e institucionit tonë janë ndërmarrë në përputhje me Nenin 73 të Ligjit për arsim fillor, i cili thotë se nxënësit kanë të drejtë të transportit falas nëse vendbanimi i tyre është larg së paku 2 km nga shkolla më e afërt fillore. Sipas këtij neni transporti ju takon nxënësve që i plotësojnë kushtet ligjore të përcaktuara veçanërisht në rastet kur distanca dhe vendbanimi deri në shkollë është më e madhe se ajo e parashikuar”, theksoi Fatmir Ebibi, drejtor i Sh.F. “Bajram Shabani” Kumanovë.
Ata detyrohen të udhëtojnë në këmbë ngaqë nuk përkojnë oraret dhe linjat e transportit publik që për absurditet janë falas për gjithë qytetarët, ndërsa këto dhjetëra fëmijë janë përjashtuar. Nga Sektori për arsim në Komunën e Kumanovës thonë se ka ndodhur një keqkuptim, duke u zotuar që brenda javës që vjen do të rinovohen aneks-marrëveshjet me transportuesit privatë.
“Me disa nxënës individual që ka ndodhur keqkuptimi do të korrigjohet sepse shkolla ka kërkuar në mënyrë plotësuese të kontrollohet distanca nga shkolla deri në adresat e tyre nëse i kanë 2 km. Bëhet fjalë për Shkollën fillore ‘Bajram Shabani’ e cila ka formuar komision sipas Ligjit për arsim fillor dhe e kanë proceduar këtë çështje. Në periudhën më të shkurtër kohore do të bëhet lista për së dyti ku do të përfshihen edhe këta disa nxënës që nuk ishin të përfshirë dhe në mënyrë plotësuese të gjithë nxënësit që janë më afër se 2 km ata mund t’i shfrytëzojnë linjat e autobusëve publik falas por jo të përfshihen në transportin e nxënësve”, theksoi Aleksandar Jovanoviq, Udhëhetës i Sektorit për Arsim në Komunë.
Në Komunën e Kumanovës janë 26 linja të transportit publik, që me vendim të Këshillit Komunal deri në fund të qershorit janë falas për të gjithë udhëtarët. Por linjat e transportit të nxënësve organizohen nga agjencitë private, të cilat i paguan komuna sipas ligjit përkatës dhe janë në intervale kohore të përshtatshme me mësimet dhe lokalitetet e nxënësve. Sikurse shkolla as transportuesit privatë nuk mbajnë përgjegjësi për rreziqet e fëmijëve që mund të ju ndodhin gjatë vajtje-ardhjes në shkollë duke ecur për më shumë se 4 kilometra çdo ditë mësimit të tyre.










