Presidenti amerikan Donald Trump po luan një lojë të rrezikshme me zjarrin në Gjirin Persik. Për të tretën herë brenda pak javësh, ai i ka dhënë Iranit një afat për të hapur Ngushticën e Hormuzit. Për të tretën herë, e ka shtyrë atë. Tani afati i ri është sonte, e martë, në orën 20:00 sipas orës lindore amerikane. Pyetja e madhe është: a do të jetë ky i fundit apo do të vijë edhe një zgjatje tjetër?
Gjithçka nisi më 21 mars. Trump postoi në Truth Social se Iranit i jepen 48 orë për të hapur plotësisht dhe pa kërcënim ngushticën strategjike. Në të kundërt, SHBA do të bombardonte centralet elektrike iraniane. Afati i parë skadonte më 23 mars në mbrëmje. Por 12 orë para se të binte ora, presidenti amerikal doli me një njoftim surprizë. Ai shkroi se bisedimet kishin qenë produktive dhe se kishte urdhëruar shtyrjen e çdo sulmi ushtarak për pesë ditë.
Afati i dytë erdhi më 26 mars. Trump e zgjati afatin për 10 ditë të tjera, deri më 6 prill në orën 20:00. Në deklaratat e tij, ai i shtoi listës së objektivave të mundshëm puset e naftës, ishullin Kharg dhe ndoshta të gjitha impiantet e shkripëzimit të ujit. Irani nuk bëri asnjë lëshim. Data 6 prill erdhi dhe shkoi..
Tani jemi te afati i tretë. Të shtunën, Trump njoftoi një ultimatum të ri 48 orësh, duke paralajmëruar se “ferri do të bjerë mbi ta”. Të dielën, ai e zgjati përsëri. Këtë herë shtoi edhe urat si objektiva. “E martë do të jetë Dita e Centraleve Elektrike dhe Dita e Urave, të gjitha në një,” shkroi ai në Truth Social. “Hapeni ngushticën e mallkuar, ose do të jetoni në ferr.” Të hënën, ai tha se “i gjithë vendi mund të shkatërrohet brenda një nate, dhe ajo natë mund të jetë nesër”.
Por deri në këto momente, ora 20:00 e së martës nuk ka arritur ende. Nuk dihet nëse Trump do të veprojë këtë herë apo do të japë një zgjatje të katërt.
Çfarë po ndodh në të vërtetë?
Modeli duket i qartë. Trump vendos afate ekstreme. I shoqëron me retorikë të dhunshme. Pastaj i zgjat duke pretenduar progres në bisedime. Pyetja është: kë po përpiqet të bindë? Opinionin amerikan? Udhëheqësit iranianë? Apo thjesht po luan për të fituar kohë?
Nga ana tjetër, Irani nuk ka më besim. Mojtaba Ferdousi Pour, shefi i misionit diplomatik iranian në Kajro, deklaroi se Teherani nuk i beson administratës Trump. Arsyeja? “SHBA e bombardoi Iranin dy herë gjatë raundeve të mëparshme të bisedimeve,” tha ai. Sipas tij, Irani pranon vetëm një fund lufte me garanci se nuk do të sulmohet përsëri.
Agjencia shtetërore iraniane IRNA raportoi se propozimi i fundit për armëpushim është refuzuar. Megjithatë, një zyrtar rajonal i përfshirë në bisedime tha për AP se “ne ende po flasim me të dyja palët”. Pra, bisedimet nuk kanë dështuar plotësisht. Por as nuk kanë dhënë rezultat.
Krimet e luftës dhe reagimi i OKB-së
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi se sulmet ndaj infrastrukturës civile janë të ndaluara sipas të drejtës ndërkombëtare. Trump u përgjigj se nuk është aspak i shqetësuar për krimet e mundshme të luftës. Ky qëndrim i tij ka shkaktuar shqetësim t edhe tek aleatët evropianë.
Çfarë pritet më pas?
Deri më tani, çdo afat është zgjatur. Pyetja është nëse Trump do të vazhdojë këtë model edhe për herë të katërt, apo nëse kërcënimet e tij do të kalojnë në veprim konkret. Administrata e tij ka treguar se është e gatshme të përdorë forcën. Bombardimet e mëparshme e dëshmojnë këtë. Por zgjatjet e përsëritura tregojnë gjithashtu se as Uashingtoni nuk dëshiron një luftë të hapur dhe të zgjatur në një nga pikat më të ndjeshme të botës.
Tani për tani, ngushtica mbetet e bllokuar. Bisedimet vazhdojnë. Dhe Trump vijon të numërojë orët. Por ai ende nuk e ka ndezur kronometrin. Afati i tretë skadon sonte në orën 20:00. E shohim nesër nëse do të ketë një të katërt.










