Trendy

“Kurrë nuk e harroj nga vij” – Rita Ora: Prejardhja ime nga Kosova është zemra e artit tim!

Para 9 muaj

E pyetur nga gazetari për ndikimin e rrënjëve të saj nga Kosova dhe Londra në artin që krijon sot, Rita nuk hezitoi të theksojë se origjina e saj është thelbësore në formimin e saj si artiste dhe si njeri.

“Mund të flas për këtë përgjithmonë. Kurrë nuk e harroj nga vij. Qysh në fillimet e mia, më shumë se një dekadë më parë, kam folur gjithmonë hapur për prejardhjen time si emigrante, për familjen time si refugjatë dhe sa shumë do të thotë kjo për mua. Më është dhënë mundësia të arrij ëndrrat e mia dhe kjo është diçka që nuk e marr kurrë si të mirëqenë”, tha interpretuesja e hitit “Let You Love Me”.

Rita theksoi se ndihet e obliguar të jetë zë i brezit të ri: “Jam avokate e madhe për t’i ndihmuar gjeneratat e ardhshme të qëndrojnë optimiste për të ardhmen e tyre me mjetet e duhura. Për ta bërë këtë, na duhen figura si unë dhe të tjerë që të flasim hapur. Arti im gjithmonë është mbështetur në integritetin personal, jo në atë që është ‘cool’ për momentin”.

Ajo foli edhe për rolin e rrjeteve sociale në jetën e saj, duke pranuar se i pëlqen TikTok-u dhe rrjetet sociale, por në procesin krijues mbetet besnike ndaj vetvetes: “Kur bëj muzikë, për mua është thelbësore të jem reale dhe e vërtetë me veten”.

Në intervistë, këngëtarja foli gjithashtu për momentin kur i propozoi martesë bashkëshortit të saj, regjisorit të njohur Taika Waititi një hap që pati jehonë të madhe në mediat botërore.

“E di, mori shumë vëmendje mediatike! Madje edhe tani po flitet për të”, tha ajo duke qeshur. “Për mua ishte diçka shumë normale. Ishte një mënyrë për të marrë kontrollin dhe për t’i qëndruar fuqisë sime si grua. As që mendova ndryshe. Doja thjesht ta ‘bllokoja’!”, tha 34-vjeçarja.

Trending