Lëvizja Vetëvendosje ka hapur fushatën zgjedhore nga Komuna e Ferizajt.
Të pranishmëve në Palestrën Sportive “Bill Clinton” në Ferizaj iu drejtua kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti.
Gjatë fjalimit Kurti ka folur, për siç tha ai, të arriturat e qeverisjes së tij, ku ndër të tjera potencoi, siç pretendoi ai, rritjen ekonomike në vend që po mundëson edhe shpërndarjen e ndihmave për qytetarët.
“Rritjen ekonomike më së shumti është duke përjetuar sektori privat. Për gjashtë vjet u është dyfishuar qarkullimi nga 12.5 miliardë në 25 miliardë”, tha ai.
Ai ndër të tjera njoftoi se ekzekutivi i udhëhequr nga ai do të fillojë dialogun me sektorin privat që rroga e 13-të të zbatohet sa më parë të jetë e mundur edhe në sektorin privat.
“Si vizion të fillojmë edhe bashkërendimin me sektorin privat për ta mundësuar futjen graduale të pagës së 14-të”.
Ndërsa foli për disa projekte të realizuara nga ekzekutivi për komunën e Ferizajt, Kurti goditi edhe Partinë Demokratike të Kosovës e cila udhëheq me këtë komunë.
“Derisa ata të tjerët premtojnë kot, ne realizojmë fortë”, tha ai.
E pranishme në këtë tubim ishte edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është njëkohësisht edhe kandidate për deputete nga radhët e LVV-së.










