Taravari edhe zyrtarisht e dorëzoi dorëheqjen nga funksioni si ministër i shëndetësisë, por tani për tani nuk dihet se kush do të ulet në kolltukun e tij dhe nëse do të jetë dikush nga radhët e VLEN. Nga ky koalicion pohojnë se edhe pse Taravari largohet nga pushteti, ata do të udhëheqin edhe më tej me dikasteret që kishte ASH-ja.
Zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti thotë se në partinë e Taravarit ka mospajtime për vendimin e tij për largim nga qeveria, por pyetjes nëse pret që Arben Fetai të mbetet në qeveri, ai u përgjigj se nuk do që të flasë për emra konkretë.
“…Atë që ai vetë paralajmëron dorëheqjen e tij por jo edhe për funksionarët e tjerë, tregon se ka marrë vendim që nuk korrespondon me anëtarësinë dhe strukturat e partisë. Ka ndarje dhe ato i shohim çdo ditë”, tha Izet Mexhiti, Zv/Kryeministër i Parë.
I pyetur për numrin e deputetëve të VLEN, ministri për punë dhe politikë sociale, Fatmir Limani tha se FE nuk duhet të sillet në mënyrë komode, për shkak se, siç shtoi, “mund të fitojnë 5 deputetë, por t’i ikin më shumë”. Ai i lavdëroi deputetët e ASH-së së Taravarit duke i quajtur “më të mirët dhe më të përgatiturit” duke thënë se beson se do t’i thirrin arsyes, do të bashkohen dhe do të mbeten pjesë e qeverisë.
“Nëse mendojnë se janë komod në lidhje me atë se pjesë e deputetëve të ASH kanë shkuar në FE, gabojnë, për shkak se një pjesë prej tyre do të mbeten në qeveri, por të jenë të sigurt se të paktën 4 deputetë të cilët sot janë në radhët e tyre, do të kalojnë në koalicionin qeveritar”, shtoi Fatmir Limani, Ministër për Politikë Sociale.
Por si do të veprojnë pesë deputetët e Taravarit, tani për tani mbetet e paqartë. Kryeparlamentari Afrim Gashi tha se ka informacione se VLEN do të formojë një grup të ri deputetësh por tha edhe se për këtë kërkesë u kanë ofruar deputetëve të Taravarit të nënshkruhen.
“Ata të cilët do të nënshkruhen do të jenë pjesë e atij grupi, ata të cilët nuk do të nënshkruhen, kjo është e drejta e tyre. E di se u kanë ofruar të gjithë deputetëve të nënshkruhen. Normal, ne mendojmë se ata deputetë që i kanë marrë votat përmes koalicionit VLEN duhet të mbeten në VLEN, por vendimi është i tyre. Nëse ASH vendos që t’i bashkëngjitet një subjekti tjetër politik, është e drejta e tyre”, tha Afrim Gashi, Kryeparlamentar .
Dje kryeministri Mickoski nuk deshi të zbulojë nëse të gjithë funksionarë të Taravarit largohen ose dikush mund të mbetet në qeveri, e as nëse resorët që i kishte ASH mbeten te VLEN-i. Ai tha se të gjitha zgjidhjet kadrovike do të njihen javën e ardhshme.