Abu Mohammad al-Jolani, është lideri i grupit Hayat Tahrir al-Sham, ka udhëhequr një ofensivë të fuqishme që ka çuar në rënien e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, pas më shumë se 13 vitesh luftë civile brutale në Siri.
42 vjeçari, është një figurë kyçe në konfliktin sirian dhe ka kontrolluar shumicën e provincës Idlib në veri-perëndim të Sirisë për vite me radhë.
Në fund të nëntorit, grupi i tij nisi një ofensivë të rëndësishme, duke përparuar në qytetin e Aleppos, qytetin më të madh të Sirisë, dhe duke vazhduar me marrjen e territoreve të tjera pa hasur shumë kundërshtim.
Për herë të parë, rebelët shpallën se Damasku ishte çliruar dhe se regjimi i Asadit kishte rënë.
Pas një periudhe bisedimesh me disa palë të tjera të përfshira në konflikt, sipas Rusisë Assadi ka ikur nga Siria, ndërsa nuk u bë e ditur se ku ndodhet tani.
Al-Jolani është lindur në Arabinë Saudite me emrin Ahmed Hussein al-Shara, dhe është rritur nga një familje siriane që ishte në mërgim.
Ai ka luftuar kundër pushtimit amerikan në Irak dhe ka kaluar disa vite në burg në Shtetet e Bashkuara.
Pas fillimit të luftës civile në Siri, ai formoi grupin al-Nusra, i lidhur me Al Kaidën, dhe më pas e shndërroi këtë grup në Hayat Tahrir al-Sham.
Pas shkëputjes nga Al Kaida, ai ka përpjekur të fitojë legjitimitet ndërkombëtar duke u fokusuar te qeverisja lokale dhe jo te xhihadi global.
Sot, al-Jolani dhe grupi i tij udhëheqin një administratë në territoret që kontrollojnë, ku mbledhin taksa, ofrojnë disa shërbime publike dhe madje japin karta identiteti për qytetarët, raporton The New York Times, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, ata janë kritikuar për përdorimin e taktikave autoritare dhe shtypjen e kundërshtarëve.
Pavarësisht këtij arritjeje, ka shqetësime mbi atë se çfarë lloj qeverie mund të krijojë al-Jolani dhe nëse ajo do të pranohet nga të gjithë sirianët.
Në Idlib, grupi i tij ka promovuar një ideologji konservative, por ai ka tentuar gjithashtu të sigurojë minoritetet, përfshirë ata nga sektet dhe fetë e tjera.
Analistët thonë se kjo është një periudhë vendimtare për al-Jolani. Do të jetë e vështirë për të të bashkojë sirianët dhe të krijojë një shtet të qëndrueshëm.
Disa e krahasojnë me momentin e transformimit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili fillimisht ishte i kritikuar, por më pas u bë një lider i njohur ndërkombëtarisht.