Trendy

Kush i detyrohet DAP mbi 220 milionë euro: Biznesmenë që nuk kanë shkelur në vend, kompani pa të punësuar dhe pronarë me lidhje politike

Para 50 minuta

Administrata e të Ardhurave Publike (UJP) publikoi listën e shtatorit të debitorëve më të mëdhenj, në të cilën janë gjithsej 5.240 persona juridikë dhe fizikë me detyrime të papaguara në vlerë prej mbi 13,64 miliardë denarë, përkatësisht rreth 221,8 milionë euro.

Sipas informacioneve të UJP-së, një nga kompanitë nuk posedon pasuri nga e cila borxhi mund të arkëtohet drejtpërdrejt.

“Nu posedon pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Është në fuqi arkëtimi i detyruar nga mjetet monetare. Është përcaktuar garanci tatimore dhe janë në zhvillim masa për arkëtim nga garantuesi tatimor”, thonë nga UJP.

Në krye të listës janë tri kompani nga Shkupi, ndërsa debitori më i madh është “Hant Osoj Trejd”, me borxh prej mbi 900 milionë denarësh, përkatësisht rreth 14,87 milionë euro.

Me një shumë të ngjashme detyrimesh të papaguara është edhe kompania shkupjane “Okitna Trejd”, e regjistruar në Vizbegovë. Ndër tre debitorët më të mëdhenj është edhe “Lisav” nga Shkupi.

Sipas të dhënave të publikuara, te të tria kompanitë borxhi lidhet ekskluzivisht me TVSH-në e papaguar. Lista e shtatorit përfshin borxhet që kanë arritur për pagesë deri më 31 maj 2026, por që nuk janë paguar as deri më 31 gusht.

Kompania “HANT Osoj” ka vetëm një të punësuar dhe është themeluar në vitin 2022.

Partia në pushtet VMRO-DPMNE, kur ishte në opozitë para dy vitesh, pretendonte se kompania “Hant Osoj”, deri në fund të vitit 2022, quhej “Hantonos”. Pronari i atëhershëm Vase Panajotov ia kishte shitur kompaninë një personi të quajtur Agim Imeri nga Kosova, i cili kishte përfituar rimbursim të TVSH-së në vlerë prej 12 milionë eurosh dhe më pas ishte zhdukur.

“Firma HANTONOS është hapur në janar të vitit 2022 nga Vase Panajotov nga Sekirniku i Strumicës, ndërsa më 25 nëntor 2022 i është shitur Agim Imerit nga Mitrovica e Kosovës, i cili ia ndryshon emrin në HANT OSOJ dhe selinë e vendos në Shkup. Edhe kjo kompani e re HANTONOS, njësoj si AKTIKO/OKITNA, për një periudhë të shkurtër tregton dhe importon mallra në vlerë prej 57 milionë eurosh, ndërsa askush nuk pyet se nga vijnë paratë dhe për këtë përdor rimbursim të TVSH-së prej mbi 10 milionë eurosh”, deklaronte atëherë zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Sipas tij, pasi u shit, “HANT OSOJ” deri në mars të vitit 2023 kishte realizuar tregti në vlerë prej 7 milionë eurosh dhe kishte kërkesa në vlerë prej 1,2 milionë eurosh. Në atë periudhë, sipas pretendimeve të partisë, ishte evidentuar edhe një import nga jashtë në vlerë prej 5,4 milionë eurosh, për të cilin ishte përdorur rimbursim prej 820 mijë eurosh.

“Kur vjen koha për pagesën e tatimit në vitin 2023, UJP-ja konstaton se kompania nuk paguan dhe më pas, për të mos arritur ta gjejë pronarin, MPB-ja tregon se personi Agim Imeri nga Mitrovica e Kosovës, të cilit i ishte shitur kompania, në fakt nuk kishte hyrë fare në Maqedoni në periudhën kur supozohej se e kishte blerë dhe kishte punuar me kompaninë”, pretendonte Stoillkovski.

Sipas pretendimeve të atëhershme të VMRO-DPMNE-së, UJP-ja më pas kishte konstatuar se kompania nuk kishte libra afaristë dhe as kontabilitet, ndërsa kishte borxh tatimor. Sipas tyre, shuma që UJP-ja kërkonte arrinte në 12 milionë e 226 mijë euro.

Për parregullsi të ngjashme me rimbursimin e TVSH-së, VMRO-DPMNE-ja kishte akuzuar edhe kompaninë “Okitna Trejd”, e cila në fund të vitit 2022 kishte kaluar nga pronarja e atëhershme Zule Kërmzova te Egzon Berisha nga Kosova, i cili, sipas pretendimeve të partisë, kishte përfituar rimbursim të TVSH-së në vlerë prej 11 milionë eurosh.

UJP-ja i kishte mohuar pretendimet se kishte pasur pagesa të paligjshme të rimbursimit të TVSH-së. Nga Administrata kishin sqaruar se paratë nuk u ishin paguar këtyre kompanive, por se ndaj tyre po kërkohej arkëtimi i tatimit. VMRO-DPMNE-ja, megjithatë, pretendonte se kishte prova për të kundërtën.

Debitori i tretë më i madh është “Lisav Kompani” DOOEL nga Komuna e Butelit, e cila ka borxh mbi 440 milionë denarë.

“Dianita” nga Strumica tani renditet e katërta, me borxh prej 378 milionë denarësh, përkatësisht pak më shumë se 6 milionë euro, tërësisht për TVSH.

Përmes kësaj kompanie, vitin e kaluar janë realizuar qarkullime në vlerë prej 182 milionë eurosh, përkatësisht 210 për qind më shumë të ardhura se një vit më parë, ndërsa njëkohësisht është paraqitur humbje prej pak më shumë se 700 mijë eurosh.

Pronar është një person nga Strumica, Dragi Mekanxhiski, ndërsa kompania disponon me tri magazina për tregti me shumicë të tekstilit, dy prej të cilave në Kisella Vodë dhe një në Strumicë. Deri më 7 korrik, “Dianita” kishte qenë 511 ditë nën bllokadë nga UJP-ja, e cila deri atëherë kishte dërguar 23 vendime për përmbarim në vlerë prej 5,65 milionë eurosh.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar muajin e kaluar njoftoi se kjo kompani është e lidhur me rrjetin e kompanive të biznesmenit nga Strumica, Risto Kërmzov, të cilat, sipas Prokurorisë, kanë arkëtuar në mënyrë të paligjshme 37 milionë euro nga shteti për rimbursim të TVSH-së.

Pas saj renditet “PINE Grup” DOOEL Shkup, kompani e cila është e bllokuar nga UJP-ja prej tre vitesh dhe ka borxh 332 milionë denarë, ose 5,5 milionë euro. Nga UJP-ja njoftojnë se është në zhvillim procedura për arkëtim të detyruar nga mjetet monetare.

Kompania e Strumicës “Gimashi Kompani” DOOEL Shkup ka borxh 295 milionë denarë në të gjitha bazat.

Kompania çeke “SGSM Oil and Gas Service”, përkatësisht dega e saj, aktiviteti kryesor i së cilës është tregtia me shumicë e mallrave metalike, tubave, pajisjeve dhe mjeteve për ujësjellës dhe ngrohje qendrore, i detyrohet UJP-së rreth 4 milionë euro, pothuajse të gjitha në bazë të TVSH-së.

Një tjetër kompani e biznesmenit Kërmzov nga Strumica, “Mintikos Tekstil” DOOEL Strumicë, është gjithashtu debitore ndaj UJP-së me rreth 3 milionë euro, ndërsa nuk posedon pasuri të luajtshme apo të paluajtshme nga e cila mund të arkëtohet borxhi.

“Abira Plus” DOOEL nga Kumanova ka borxh pak më pak se 3 milionë euro. Kompania kumanovare “Abira Plus” deri në vitin 2018 ishte në pronësi të Trajçe Zaevit, kushëririt të ish-kryeministrit Zoran Zaev.

Në listën e debitorëve më të mëdhenj nuk ndodhet më “Divelop Grup”, e cila para katër muajsh kishte borxh mbi 2 milionë euro. Kompania, bashkëpronar i së cilës është Jordan Mijallkov, djali i ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, tashmë e ka shlyer borxhin dhe nuk figuron më në listën e UJP-së.

Në listë janë përfshirë detyrimet në bazë të TVSH-së, tatimit mbi fitimin, tatimit personal mbi të ardhurat, kontributeve për sigurim të detyrueshëm social, akcizave dhe doganave.

Nga gjithsej 5.240 debitorë, 2.008 janë persona juridikë, ndërsa 3.232 janë persona fizikë. Të dhënat tregojnë se gjendja është përkeqësuar krahasuar me muajin paraprak. Në listë janë dy kompani dhe 38 persona fizikë më shumë, ndërsa borxhi i përgjithshëm i papaguar është rritur për rreth 7,3 milionë euro.

Vetëm borxhi në bazë të tatimeve dhe kontributeve arrin në 13,46 miliardë denarë, përkatësisht rreth 218,8 milionë euro. Brenda një muaji, ky borxh është rritur për pothuajse 7,5 milionë euro.

Praktikisht, pjesa më e madhe e 221,8 milionë eurove që shteti i kërkon nga debitorët lidhet pikërisht me tatimet dhe kontributet e papaguara.

Trending