Trendy

“Ky është momenti i katapultimit të ASH” – goditje direkte e Taravarit ndaj BDI-së

Para 6 muaj

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka dërguar një mesazh të fortë në drejtim të BDI-së gjatë një interviste në emisionin PULS në TV Monitori, duke e konsideruar këtë periudhë si momentin e artë për ngritjen e partisë së tij, përcjell tetova1.

“Ky do të jetë momenti i katapultimit të ASH. Shumë njerëz politikën e shohin me emocione. Me të vërtetë politika është edhe emocion. Por duhet të mbizotërojë racioja, pra racionaliteti”, theksoi Taravari.

Ai e pranoi se aktualisht BDI është forca më e organizuar, por shpejt ky avantazh do të zbehet. “Një parti e organizuar në të gjitha trojet, në të gjitha vendbanimet shqiptare, është BDI. Absolutisht më e organizuar për momentin. Por e dyta, mirë e organizuar në të gjitha komunat, është ASH. Dhe ky moment i përzgjedhjes së katër kandidatëve për kryetarë komunash, i numrit të konsiderueshëm të këshilltarëve, krijon predispozita reale që shumë shpejt ASH të jetë edhe parti e parë shqiptare”, tha ai.

Duke projektuar të ardhmen, Taravari e shfrytëzoi intervistën për të bërë të qartë se objektivi i tij është që ASH të marrë kreun e skenës politike shqiptare.
“Unë insistoj se çdo kryetar i partisë nuk duhet ta mendojë partinë vetëm për një vit, për dy muaj, por ta shohë ku është partia në 2026, 2027… Unë besoj se ASH do të jetë partia e parë mes shqiptarëve”, u shpreh kreu i ASH.

Ky mesazh shihet si goditje e drejtpërdrejtë ndaj BDI-së, duke paralajmëruar jo vetëm një sfidë elektorale, por edhe një përpjekje për ta gjunjëzuar atë politikisht nga brenda skenës shqiptare./tetova1/

Trending