I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, është tërhequr nga roli i këshilltarit të kryeministrit sllovak, Robert Fico, pasi janë bërë publike komunikimet e tij me Jeffrey Epstein-in, i dënuar për krime seksuale.
“Përshëndetje nga Kievi! Thjesht dua të konfirmoj se vajzat këtu janë të bukura si gjithmonë,” shkroi në tetor 2018 diplomati sllovak dhe atëherë ministër i Punëve të Jashtme, Miroslav Lajčák, të dënuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein.
Biseda, sipas gazetës Dnevnik N, është pjesë e më shumë se tre milionë faqeve dokumente nga hetimi ndaj grabitqarit seksual të dënuar Jeffrey Epstein, të cilat u publikuan të premten nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Sipas zëvendësministrit Todd Blanche, materiali pritet të përmbajë mbi 2 000 video dhe 180 000 imazhe.
Fico bëri të ditur se do ta pranojë dorëheqjen e Lajçakut dhe, njëkohësisht, akuzoi kundërshtarët e tij politikë për hipokrizi, duke thënë se nuk i kishte parë “kaq hipokritë” prej shumë kohësh. Sipas tij, Lajçak ka dëshmuar sërish cilësitë e tij si diplomat dhe largimi i tij do të thotë humbje e një përvoje të rëndësishme në politikën e jashtme sllovake.
“Miro e ka dëshmuar edhe një herë veten si një diplomat i shkëlqyer dhe unë e pranoj ofertën e tij për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë, megjithëse të gjithë ne, jo vetëm unë, po humbasim një burim të jashtëzakonshëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme. Është e çuditshme që një simbiozë e ngjashme e medias, opozitës dhe partive qeveritare nuk e shënjestroi liderin e opozitës Simecek, i cili, përmes mashtrimit me grante në nivelin e Sllovakisë dhe BE-së, përfaqëson një rrezik shumë më të madh për reputacionin e vendit tonë sesa këshilltari i kryeministrit, Miroslav Lajçak”, ka thënë Fico në një deklaratë, transmeton gazeta Dnevnik N.










