Në një reagim të ashpër në rrjetet sociale, një prej figurave më të njohura të Aleancës për Shqiptarët, Latif Arifi, ka kritikuar hapur Arben Taravarin dhe qëndrimin e tij ndaj bashkëpunimit me VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Arifi, që konsiderohet një nga zërat më të zëshëm brenda ASH-së, denoncon “hipokrizinë politike” të Taravarit, duke kujtuar se vetë Taravari ka përfituar më herët nga votat e VMRO-së në Gostivar, ndërsa tani – sipas tij – përpiqet të portretizojë si “tradhti” një bashkëpunim të ngjashëm nga ana e koalicionit VLEN.
Postimi i plotë i Latif Arifit:
Mos na shisni turpin tuaj për patriotizëm, shqiptarët nuk jetojnë më me mashtrime!
Disa kanë filluar t’i bien kambanës së alarmit për moralin politik, sikur e zbuluan sot se partitë shqiptare marrin mbështetje nga partitë maqedonase. “VLEN-i nuk ka më as turp, as kufij”, thonë, por harruan se pikërisht lideri i tyre i dashur ka fituar dy herë radhazi në Gostivar falë votave të VMRO-së! Kujtesë e shkurtër apo hipokrizi e qëllimshme?
Kur VMRO i jepte mbështetje Doktorit për ta bërë kryetar komune, askush nuk fliste për “turp” dhe “kufij”. Atëherë ishte “strategji”, sot është “tradhti”? Qesharake!
Po ta themi troç: shqiptarët nuk janë më të njëjtit. Marrëdhëniet dhe llogaritë politike janë realitet i përditshëm, jo shpikje e VLEN-it. Të gjithë i kanë bërë, vetëm se disa sot i bëjnë publikisht, të tjerët dikur i bënin fshehurazi, me buzëqeshje e selfie në zyrën e kryeministrit.
Këto sulme ndaj VLEN-it nuk janë për moral, por për mllef. Sepse disa u mësuan me pushtet për disa muaj dhe tani që janë jashtë, papritmas u kujtuan për flamur, për komb, për dinjitet! Dje ju pëlqente të ishin pjesë e qeverisë me VMRO-në bashkë, sot i vjen rëndë që dikush merr mbështetje në mënyrë të hapur.
E pra, po, ka jetë edhe pas politikës. Por nuk ka nder pas hipokrizisë. Dhe më e rëndësishmja, nuk ka kthim pas. Shqiptarët kanë nisur të mendojnë, të pyesin, të krahasojnë. Nuk ju besojnë më verbërisht as me flamur, as me emër partie.
Ndaj një kërkesë kemi:
Mos na shisni turpin tuaj për patriotizëm. Shqiptarët nuk jetojnë më me mashtrime.










