SLëvizja BESA ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson ajo, shtrembërimit të qëllimshëm të deklaratës së kryetarit të saj, Bilall Kasami, dhënë për mediumin “Radio Evropa e Lirë”. Në reagimin zyrtar, BESA thekson se deklarata është keqinterpretuar me qëllim dashakeq për të krijuar një perceptim të gabuar rreth qëndrimeve të Kasamit ndaj Tiranës zyrtare dhe rolit të saj në raport me zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut.
Në demantin e publikuar nga Lëvizja BESA theksohet se deklarata e vërtetë e kryetarit Kasami është kjo:
“Do të jem më i drejtpërdrejtë: kërkesa e Tiranës, e cila është edhe pjesë e shpjegimit se dëshiron të bashkojë faktorin shqiptar në Maqedoni, nuk qëndron, sepse shqiptarët ishin në një situatë shumë më të vështirë në të kaluarën. Tirana nuk kishte asnjë interes të ndihmonte shqiptarët. Këtë e kam thënë edhe publikisht, në disa raste. Tirana zyrtare nëpërmjet kryeministrit ka reaguar në disa raste për të shpëtuar Ali Ahmetin dhe BDI. Shqiptarët janë më tepër se VLEN, BDI, BESA. Me një fjalë, nuk ka asnjë shpjegim racional për lëvizjen e Taravarit.”
Lëvizja BESA apelon për korrektësi në transmetimin e deklaratave publike dhe dënon çdo përpjekje për të manipuluar opinionin me interpretime tendencioze.