Përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë zhvilluar një takim zyrtar me kongresmenin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Self, ku në qendër të diskutimit ishin zhvillimet e fundit politike dhe respektimi i të drejtave të shqiptarëve në vend.
Nëpërmjet një njoftimi publik, një nga udhëheqësit e kësaj lëvizjeje, Mevlan Ademi, ka bërë të ditur se gjatë takimit me zyrtarin e lartë amerikan janë shpërfaqur shqetësimet e thella të rinisë studentore lidhur me tendencat për cenimin e arritjeve kushtetuese dhe ligjore, të cilat burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.
“Gjatë takimit, patëm mundësinë t’i paraqesim drejtpërdrejt shqetësimet tona lidhur me përpjekjet për cenimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore, të fituara me shumë sakrificë përgjatë këtyre 20 viteve përmes Marrëveshjes së Ohrit,” ka deklaruar Ademi.(INA)










