Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se propozim-ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat përbën një zhvillim historik pas më shumë se dy dekadash pritjeje për një zgjidhje ligjore të kësaj çështjeje.
Sipas tij, miratimi i këtij ligji do të vendosë rregulla të qarta dhe të detyrueshme për të gjithë zyrtarët, duke e kaluar përgjegjësinë nga mekanizmat administrativë te zbatimi i drejtpërdrejtë i ligjit, me pasoja konkrete për shkeljet eventuale.
“Për herë të parë pas 25 vitesh, kjo çështje po rregullohet me ligj. Çdo shkelje nuk do të trajtohet më si shkelje e balancuesit apo konkursit, por si shkelje ligjore që mund të sjellë edhe sanksione, përfshirë largimin nga posti,” është shprehur Mexhiti.
Ai u bëri thirrje të gjithë deputetëve shqiptarë që ta mbështesin propozimin, duke e cilësuar atë si një fitore të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni të Veriut dhe si mundësi për tejkalim të ndasive politike dhe personale.
Sipas Mexhitit, ky proces është rezultat i negociatave brenda qeverisë dhe përpjekjeve për të arritur një zgjidhje të pranueshme politike.
Propozim-ligji, i cili ka kaluar shqyrtimin në Komisionin e Venedikut, tashmë ndodhet në fazën përfundimtare të procedurës në Kuvend.
Në këtë debat është përmendur edhe qëndrimi i Ziadin Sela, i cili lidhet me diskutimet për përfaqësimin e drejtë dhe mënyrën e zgjidhjes së kësaj çështjeje, e cila prej vitesh ka qenë pjesë e agjendës politike në vend.
Koalicioni VLEN e ka mbështetur këtë nismë si pjesë të reformave për përfaqësim më të drejtë në institucionet shtetërore.










