Trendy

Limani: Diaspora shtyllë e zhvillimit, bashkë do ta ndërtojmë Kërçovën

Para 10 muaj

Në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, përballë qindra bashkëqytetarëve të
tij në mërgatë, kandidati për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Limani, prezantoi vizionin e tij për një politikë të re, dinjitoze dhe të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Duke folur në zemër të komunitetit kërçovarë në Zvicër, Limani nuk i fshehu emocionet përballë atyre që i cilësoi si “vëllezërit e
gjakut të Arbnit” – duke i krahasuar me diasporën historike arbëreshe, por me një
dallim të madh:

“Ju nuk jeni një degë që është tharë nga largësia, por një degë që mban me jetë edhe trungun e kombit tonë. Ju jeni zemra që pompon gjakun në trupin e atdheut – pa ju, shumë familje në mëmëdhe nuk do të mbijetonin.”- tha para të pranishmive Limani

Në fjalën e tij, Limani kritikoi me tone të forta klasën e vjetër politike, që sipas tij e
ka shfrytëzuar dhe harruar mërgatën, duke i përdorur për retorikë nacionaliste e
mbështetje financiare, por pa i dhënë asnjë rol real në drejtimin e vendit.

Në qendër të programit të Fatmir Limanit qëndron bashkëqeverisja me mërgatën, të cilën ai e sheh jo vetëm si kontribuuese financiare, por si motor zhvillimi dhe vizioni për të ardhmen e komunës.

Ai prezantoi një plan konkret për përfshirjen e diasporës, që përfshin:

Ngritjen e Njësisë për Diasporë dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar pranë
komunës; Krijimin e një Fondi Zhvillimor të përbashkët, me kontribut nga mërgata dhe komuna; Lehtësira fiskale dhe administrative për investitorët nga diaspora; Organizimin e Forumit Ekonomik Vjetor me mërgatën në Kërçovë; Platforma online për mësimin plotësues të shqipes, për fëmijët e diasporës; Hartimin e një strategjie 5-vjeçare për zhvillim të qëndrueshëm, me përfshirjen aktive të profesionistëve nga diaspora.

“Ne nuk duam që diaspora të jetë e pranishme vetëm gjatë dasmave verore, por të jetë bashkë me ne në çdo vendim, në çdo investim, në çdo hap që ndërmarrim për zhvillimin e Kërçovës. Çdo natë që kthehem nga puna dhe shkoj tek nëna ime, më trishton fakti se shumë prej shtëpive janë të fikura. Ne do ta ndezim dritën e jetës në to. Do ta kthejmë shpresën. Do ta kthejmë jetën në Kërçovë,” – tha Limani.

Në mbyllje të takimit Limani theksoi se zgjedhjet e ardhshme nuk janë një garë për pushtet etnik, por një referendum për zhvillim, dinjitet dhe qeverisje të mirë.

“Është koha që të ndalim hemoragjinë e ikjeve, të ndalim korrupsionin, të ndalim zbrazjen e mëmëdheut nga të rinjtë.

Këto zgjedhje janë referendum për rrugë të ndriçuara, për shkolla cilësore, për bashkëjetesë të sinqertë dhe për përparim të barabartë për të gjithë,” përfundoi Limani, duke i kërkuar kërçovarëve në diasporë që të japin besën për ndryshimin e madh.

Trending