Kohët e fundit në rrjetet sociale dhe mediat lokale në Gjermani po qarkullojnë lajme që ngrenë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e vozitjes pa destinacion të caktuar në territorin gjerman. Disa qytetarë, veçanërisht të rinjtë emigrantë, kanë raportuar se janë ndaluar nga policia vetëm për faktin se kanë qarkulluar disa herë në të njëjtën lagje pa qëllim të qartë.
Sipas ekspertëve ligjorë, megjithëse nuk ekziston një ndalim i drejtpërdrejtë për vozitje pa destinacion, policia gjermane ka të drejtë të ndalojë dhe kontrollojë automjete në rastet kur sjellja e drejtuesit konsiderohet e dyshimtë ose shqetësuese për rendin publik.
“Vozitja e përsëritur në një zonë të caktuar, veçanërisht gjatë natës, mund të ngjallë dyshime për vëzhgim për vjedhje, trafik droge apo shkelje të tjera,” – thuhet në një komunikatë të policisë së Hamburgut.
Në disa lande si Bavari dhe Nordrhein-Westfalen, ligjet për rendin publik i japin policisë kompetenca më të gjera për kontrolle preventive. Nëse një person ndalohet disa herë në rrethana të ngjashme, ai mund të marrë gjoba administrative, madje edhe urdhër ndalimi të përkohshëm nga zona e caktuar.
Shoqatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime mbi mundësinë e stigmatizimit të të huajve, veçanërisht të rinjve nga Ballkani apo Afrika e Veriut, të cilët shpesh përballen me kontrolle të shpeshta edhe pa shkelje konkrete.
Zyrtarët gjermanë këmbëngulin se të gjitha masat merren në bazë të vlerësimit të situatës dhe jo mbi baza etnike. Megjithatë, debati vazhdon, ndërsa qytetarët kërkojnë më shumë qartësi ligjore dhe mbrojtje nga keqinterpretimet e qëllimeve të tyre.









