Trendy

Lumi Vardar del nga shtrati në Tetovë

Para 1 muaj

Gjendja pas reshjeve të dendura në disa pjesë të vendit po stabilizohet gradualisht, por ende raportohen dëme nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza, përcjell tetova1

Në Komunën e Zhelinës, lumi Vardar ka dalë nga shtrati në fshatin Strimnicë, ku janë përmbytur pesë shtëpi. Për shkak të konfiguracionit të terrenit, ndërhyrja është e vështirësuar, ndërsa shërbimet kompetente ndodhen në terren dhe po punojnë për sanimin e pasojave.

Në rajonin e Pollogut, veçanërisht në Tetovë me rrethinë, janë evidentuar disa rrëshqitje dheu. Në Tetovë është raportuar shembja e një muri mbajtës mbi një shtëpi familjare në rrugën “146”. Rrëshqitje dheu ka edhe në rrugën drejt Popova Shapkës, rreth 150 metra nga teleferiku, por për momentin nuk paraqet rrezik për objektet përreth. Rrëshqitje shtesë janë regjistruar në rrugën “195”, në aksin nga Xhepçishta drejt Xhermës, si dhe në rrugën “Prohor Pçinski”. Në fshatin Vejcë është raportuar një rrëshqitje mbi një shtëpi që më herët kishte pësuar dëmtime.

Në Komunën e Tearcës janë paraqitur përmbytje në bodrume, ndërsa në Jegunovcë është përmbytur rruga lokale nga fshati Siricino drejt Jegunovcës. Komuna ka dërguar mekanizëm në terren dhe pritet normalizimi i qarkullimit.

Situata në rajonin e Gostivarit po qetësohet. Lumenjtë në fshatrat Llakavicë, Bellovishtë, Turçan i Vogël dhe Balindoll janë kthyer në shtratin e tyre. Në Forinë, ku më herët doli nga shtrati Vardari, uji është tërhequr nga rrugët, por vijon nxjerrja e ujit nga rreth 200 shtëpi të përmbytura.

Në rajonin e Kërçovës niveli i lumenjve është ulur, ndërsa situata në spitalin e qytetit, bodrumet e të cilit ishin përmbytur, është normalizuar. Janë evakuuar 250 persona nga 62 familje, të cilëve po u sigurohen ushqime, ujë dhe mjete të domosdoshme.

Ekipet e ndërmarrjes publike “Komunalec” dhe shërbimet zjarrfikëse po kryejnë nxjerrjen e ujit nga bodrumet në rrugët “Prilepska”, “Pirinska”, “1 Maji” dhe “29 Nëntori”, si dhe nga shtëpitë përgjatë lumenjve Treska dhe Zajashka. Janë përmbytur edhe sipërfaqe bujqësore pranë shtretërve të lumenjve.

Në rajonin e Kumanovës aktualisht nuk ka rrezik për dalje të reja të lumenjve, pasi niveli i ujit është në rënie. Megjithatë, janë raportuar përmbytje të tokave bujqësore, ndërsa në lagjen Bedinje uji i rrëmbyeshëm ka marrë me vete një urë druri.

Në Shkup është raportuar rritje e nivelit të ujit pranë urës në Jurumleri, si dhe dalje minimale e Vardarit pranë fshatrave Pakoshevë dhe Novo Sellë në Komunën e Zelenikovës.

Institucionet kompetente mbeten në terren dhe po e ndjekin nga afër situatën, ndërsa pritet normalizim i plotë në zonat e prekura në ditët në vijim./tetova1.mk/

Trending