Trendy

Macron kritik në OKB: Gaza është turpi ynë, nuk mund të pranojmë “ligjin e xhunglës”

Para 2 orë

Presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi nga podiumi i Kombeve të Bashkuara se bota nuk duhet të lejojë krijimin e një rendi ndërkombëtar ku fuqia zë vendin e ligjit.

Nuk duhet të pranojmë rendin e ri të pandëshkueshmërisë që disa po përpiqen të ndërtojnë”, deklaroi Macron, duke paralajmëruar për rikthimin e “ligjit të xhunglës”.

Në paraqitjen e tij të fundit në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme si president i Francës, Macron foli për disa prej krizave kryesore ndërkombëtare, nga Gaza dhe Lindja e Mesme te lufta në Ukrainë.

Një prej mesazheve më të forta të tij lidhej me Gazën. Presidenti francez e përshkroi atë që po ndodh në territorin palestinez si “një pamje që na turpëron të gjithëve”. Më pas ai ngriti drejtpërdrejt çështjen e përgjegjësisë së bashkësisë ndërkombëtare përballë situatës.

Çfarë besueshmërie kemi nëse vazhdojmë të qëndrojmë pasivë përballë Gazës?”, pyeti Macron nga podiumi i OKB-së.

Sipas tij, perspektiva politike për konfliktin izraelito-palestinez duhet të mbetet zgjidhja me dy shtete. Macron tha se ndërtimi i kësaj zgjidhjeje është kusht për sigurinë e Izraelit dhe popullit të tij, si në të tashmen, ashtu edhe në të ardhmen.

Një tjetër çështje që presidenti francez vendosi në qendër të fjalimit ishte Ngushtica e Hormuzit. Macron e cilësoi rihapjen e saj si një përparësi, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe furnizimin ndërkombëtar me energji.

Macron u ndal gjatë edhe te lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, duke propozuar një ndërprerje të ndërsjellë të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve civile.

Mbështesim nismën për një moratorium të dyfishtë”, deklaroi presidenti francez, duke e lidhur propozimin me energjinë dhe infrastrukturën civile në të dyja palët.

Ai kërkoi gjithashtu një moratorium në Detin e Zi që do të mundësonte lehtësimin e eksporteve të drithërave dhe do të ndihmonte në adresimin e sigurisë ushqimore, veçanërisht për ekonomitë në zhvillim.

Pavarësisht thirrjes për masa që mund të ulin përshkallëzimin, Macron rikonfirmoi mbështetjen franceze për Kievin.

Franca do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë të palëkundur aspiratat legjitime të popullit ukrainas për paqe”, tha ai.

Përtej konflikteve ushtarake, presidenti francez e zgjeroi fjalimin edhe te sfidat që lidhen me teknologjinë. Ai mbështeti ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit dhe kërkoi zhvillimin e një alternative të pavarur në inteligjencën artificiale, jashtë varësisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Fjalimi kishte edhe një dimension të veçantë për Macron, pasi kjo ishte paraqitja e tij e fundit si president francez në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Trending