Kryeministër i ri i Hungarisë, Péter Magyar, e mbrojti vendimin për të emëruar dhëndrin e tij si ministër të drejtësisë, duke theksuar se kompetenca profesionale e avokatit është e padiskutueshme, shkruan Tema.mk.
Magyar deklaroi se Márton Meletei-Barna është personi i duhur për këtë detyrë dhe, në një postim në X (Twitter), njoftoi se bashkëshortja e ministrit të ardhshëm do të bëjë “një tjetër sakrificë”, duke u tërhequr nga funksioni i gjyqtares “për të shmangur edhe perceptimin e ndërhyrjes mes pushteteve”.
Ministri i ardhshëm i drejtësisë është i martuar me motrën e Magyarit, Anna Ilona Meletei-Barna. Lideri i TISZA pranoi se lidhja familjare ka krijuar një dilemë serioze edhe për të dhe se shqetësimet për përfshirjen e familjarëve në qeveri janë “të kuptueshme”.
Magyar fillimisht prezantoi shtatë emrat e parë të kabinetit në prill, vetëm disa ditë pasi fitoi ndaj partisë Fidesz të Viktor Orbán, duke i dhënë fund një sundimi 16-vjeçar. Pjesa tjetër e qeverisë u bë publike dje.










