Trendy

Malësia e Tetovës po mbetet pa nxënës

Para 57 minuta

Ka përfunduar procesi i regjistrimit të nxënësve në shkollat fillore të Komunës së Tetovës. Edhe këtë vit shkollor, në fshatin Veshallë të Malësisë së Tetovës nuk është regjistruar asnjë nxënës i parë, ndaj shkolla e këtij fshati do të vazhdojë të mbetet e mbyllur. Ndërkaq, në fshatin fqinj Bozovcë janë regjistruar vetëm dy nxënës në klasë të parë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të nxënësve në të gjitha paralelet e këtij fshati në vetëm gjashtë. Megjithatë, sipas drejtorit të shkollës fillore „Besa“, Shefajet Ramadani, këto paralele periferike do të vazhdojnë të funksionojnë me vendim të veçantë si shkolla të mbrojtura.

“Në shkollën Besa në Veshallë kemi pak probleme për shkak të shpërnguljes së nxënësve dhe atje nuk kemi të regjistruar asnjë nxënës, ndërsa në shkollën tjetër periferike të fshatit Bozovcë kemi të regjistruar dy nxënës në klasën e parë, tre nxënës i kemi në klasën e tretë dhe një nxënës e kemi në klasën e nëntë. Kështu që shkollat janë në suazat të mbrojtjes për shkak se gjenden në distancë të largët, janë fshatra malore dhe janë të mbrojtura, kështu që do të funksionojnë, për momentin do të funksionojnë si klasa…“, u shpreh Shefajet Ramadani, drejtor i sh.f. “Besa”.

Nga Sektori për Arsim i Komunës së Tetovës bëjnë me dije se, pavarësisht rënies drastike të numrave në fshatrat malore, në nivel të përgjithshëm të komunës numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë mbetet i njëjtë me vitin e kaluar shkollor.

“Dhe sa i përket numrave në krahasim me vitin e kaluar, ku e dini që ka qenë trend vit pas viti ku kemi pasur ulje të numrit të nxënësve, duke theksuar që nga viti 2020/21 e këndej, për fat të mirë këtë vit, në krahasim me vitin shkollor 2025/2026, nuk kemi ndonjë ndryshim drastik të numrave, për afërsisht janë numrat e njëjtë të nxënësve në shkollat fillore“, tha Nazmi Dauti, Sektori për Arsim – Komuna e Tetovës.

Se Malësia e Tetovës po përballet me rënie të madhe demografike e dëshmon edhe gjendja në fshatin Shipkovicë, vendbanimi më i madh i kësaj zone, ku këtë vit janë regjistruar vetëm tetë nxënës në klasën e parë. Distanca nga qyteti, mungesa e perspektivës në blegtori e bujqësi, si dhe migrimi intensiv drejt shteteve të huaja po i boshatisin fshatrat malore vit pas viti. Edhe pse Komuna e Tetovës disa muaj më parë siguroi transport falas për banorët e Veshallës dhe Bozovcës, kjo masë nuk ka arritur të ndalë trendin e shpërnguljes së familjeve të reja.

Trending