Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Zohran Kwame Mamdani, ka deklaruar se është informuar të shtunën në mëngjes mbi operacionin ushtarak të Shteteve të Bashkuara, që çoi në kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, si dhe mbi planet për burgosjen e tyre në paraburgim federal në qytetin e New York-ut.
Në një deklaratë publike, Mamdani e cilësoi veprimin si një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe ligjit federal amerikan.
“Sulmimi në mënyrë të njëanshme i një shteti sovran përbën akt lufte dhe shkelje të ligjit federal dhe atij ndërkombëtar”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku theksoi se ajo që po ndodh nuk ka pasoja vetëm jashtë kufijve të SHBA-ve, por ndikon drejtpërdrejt edhe në jetën e qytetarëve të New York-ut. Ai vuri në dukje se në qytet jetojnë dhjetëra mijëra venezuelas, të cilët mund të ndihen të rrezikuar nga përshkallëzimi i situatës.
“Kjo ndjekje e hapur e ndryshimit të regjimit nuk prek vetëm ata jashtë vendit, por ndikon drejtpërdrejt tek njujorkezët, përfshirë komunitetin e madh venezuelas që e quan këtë qytet shtëpinë e tij,” deklaroi Mamdani.
Sipas tij, prioritet i administratës bashkiake mbetet siguria e komuniteteve lokale. Ai shtoi se bashkia do të vijojë të monitorojë nga afër zhvillimet dhe të publikojë udhëzime përkatëse për qytetarët, në varësi të situatës.










