Trendy

MAPAS renditet e treta në nivel shtetëror për transparencë

Para 1 muaj

Agjencia për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional (MAPAS) është renditur në vendin e tretë në nivel shtetëror për transparencë, sipas Raportit për verifikimin e dokumenteve dhe informacioneve të publikuara nga institucionet shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2025.

Raporti është përgatitur nga Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik, ndërsa MAPAS ka arritur 50 pikë nga maksimumi i mundshëm prej 51 pikësh, duke u renditur ndër institucionet më transparente në vend.

Monitorimi është realizuar gjatë muajit tetor 2025, në përputhje me Metodologjinë për publikimin proaktiv të informacioneve dhe dispozitat e Ligjit për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik. Në këtë proces janë përfshirë gjithsej 99 institucione shtetërore, të cilat janë vlerësuar përmes një pyetësori me 31 pyetje, të bazuara në nenin 10 të Ligjit përkatës.

Rezultatet tregojnë një përmirësim të dukshëm të nivelit të transparencës dhe qasjes në informacione në ueb-faqen zyrtare të Agjencisë.

Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS-it, Remzi Bajrami, tha se ky rezultat paraqet një konfirmim të qartë të angazhimit institucional.

“Brenda një kohe të shkurtër, Agjencia për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional është renditur në vendin e tretë në nivel shtetëror për transparencë, me 50 nga 51 pikë të mundshme. Ky sukses është dëshmi e përkushtimit tonë për publikim proaktiv, në kohë dhe të rregullt të informacioneve me karakter publik. Do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve në institucionin tonë,” theksoi Bajrami.

Trending