Në Maqedoni, një rast i rëndë i shkeljes së të drejtave të punëtorëve ka tronditur opinionin. Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi ka konstatuar se një punëtore në një fabrikë tekstili është larguar nga puna në mënyrë të padrejtë, pasi kishte njoftuar se do të merrte pushim mjekësor për shkak të sëmundjes së fëmijës së saj 2-vjeçar.
Drejtoresha e fabrikës jo vetëm që e kishte njoftuar të mos paraqitej më në punë, por kishte refuzuar të regjistronte largimin e saj në Agjencinë e Punësimit.
Punëtorja, e cila punonte me kontrata të përkohshme që nga shtatori i vitit të kaluar, përfundimisht u detyrua të largohej në janar të këtij viti, ndërsa pas përfundimit të lejes mjekësore, mbeti pa punë.
Për më tepër, kur dorëzoi fletën për pagesë, mori vetëm 15.000 denarë, ndërsa leja mjekësore nuk u evidentua fare.
Komisioni konstatoi gjithashtu se punëtorja ishte diskriminuar edhe për faktin se ishte anëtare e sindikatës.
Gjatë inspektimit, drejtoresha u justifikua me uljen e porosive nga partnerët e huaj dhe performancën e dobët të punëtores, por nuk paraqiti asnjë provë.
Për Komisionin, kjo është një formë e pastër e diskriminimit të drejtpërdrejtë, një rast që hedh dritë mbi abuzimet e vazhdueshme në tregun e punës në Maqedoni.










