Trendy

“Maqedonia e Veriut duhet ta dëgjojë Bullgarinë për të hyrë në BE”

Para 8 muaj

Në një intervistë për radion kombëtare bullgare BNR, eurodeputeti danez Niels Fuglsang, nga grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, deklaroi se pret që Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së t’i lejojnë Bullgarisë të bashkohet me eurozonën më 1 janar, siç tha ai, “si një shenjë se ka bërë përparim të përgjithshëm dhe ka një ekonomi të fortë.”

Fuglsang komentoi edhe për Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut, i cili pritet të shqyrtohet në seancën e radhës të Parlamentit Evropian në Strasburg. Ai ishte i qartë në qëndrimin e tij:

“Maqedonia e Veriut duhet t’i dëgjojë kërkesat e Bullgarisë nëse dëshiron të vazhdojë në procesin e pranimit në BE.”

Eurodeputeti theksoi rëndësinë e propozimit francez si një kornizë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe mes Shkupit dhe Sofjes:

“Sigurisht, kemi një propozim francez që pasqyron shqetësimet e Bullgarisë dhe mbart peshë serioze. Dhe ne duhet të vazhdojmë ta dëgjojmë Bullgarinë, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut. Gjëja e fundit që duam të krijojmë janë konflikte të rrezikshme politike në komunitetin tonë. Kjo është arsyeja pse mendoj se Maqedonia e Veriut e di dhe duhet të dëgjojë atë që thotë Bullgaria nëse dëshiron të bashkohet me BE-në.”

Fuglsang po ashtu vlerësoi se negociatat me Maqedoninë e Veriut nuk do të përfundojnë gjatë presidencës daneze të BE-së, e cila nisi javën e kaluar, dhe sipas tij, procesi do të vazhdojë gjatë presidencës së radhës të BE-së, e cila do të drejtohet nga Qiproja.

Qëndrimi i Fuglsang vjen në një kohë kur procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut është në një fazë delikate, dhe çështjet historike e identitare me Bullgarinë vazhdojnë të mbeten pengesa kyçe në rrugën drejt BE-së.

Trending