Një kthesë e papritur diplomatike tronditi sot Lindjen e Mesme! Zyra e Presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, ka shpallur një “armëpushim të menjëhershëm” në provincën jugore të Suweidas, pas një marrëveshjeje urgjente të ndërmjetësuar nga SHBA-të dhe Izraeli.
Pas bombardimeve izraelite që detyruan forcat siriane të Ministrisë së Mbrojtjes të tërhiqen nga territori me shumicë druze, Presidenca siriane i bëri apel “të gjitha palëve të respektojnë plotësisht” armëpushimin dhe të ndalojnë përplasjet që brenda pak ditësh kanë marrë jetën e gati 600 personave.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa kanë rënë dakord për një armëpushim të mbështetur edhe nga Turqia dhe Jordania, sipas ambasadorit amerikan në Turqi, Tom Barrack, i cili publikoi lajmin në një postim zyrtar në X.
Mesazhi i përbashkët ishte i qartë:
“Druzë, beduinë, sunitë dhe pakicat e tjera – lini armët dhe ndërtoni një identitet të ri sirian në paqe dhe prosperitet!”
Ndërkohë, një marrëveshje e veçantë me Izraelin i mundëson forcave të Sigurisë së Brendshme Siriane një prani 48-orëshe në Suweida për të mbrojtur civilët, ndërsa trupat qeveritare të akuzuara për krime ndaj popullsisë pritet të tërhiqen plotësisht.
Kriza në Suweida – një provincë me shumicë druze, komunitet i njohur për autonominë dhe mosbesimin ndaj pushtetit qendror – ka marrë përmasa dramatike që nga e diela, duke u kthyer në një përplasje të rrezikshme sektare midis druzëve, beduinëve dhe forcave shtetërore.
Në sfond të këtyre zhvillimeve, Presidenca siriane paralajmëron vendosjen e një force të re për ruajtjen e rendit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim përshkallëzimin e situatës.
Një armëpushim i brishtë me shumë pikëpyetje – por një shans i vogël për paqe në një Siri të përgjakur!










