Trendy

Martesa e Eminesë në Nish dhe sprova e shqiptarëve me agjërimin!

Para 17 minuta

“Ajo e dinte se kishte prej tyre që e prishnin agjërimin, por fshehurazi, saqë askush nuk kishte mundësi që t’i shihte ata duke bërë një veprim të tillë. Po kështu në këtë mënyrë, publikisht para gjithë botës, askush nuk do ta prishte agjërimin për asnjë çmim. Vetëm Hasani u gjet nën presion të madh, prandaj Emi­neja u frikësua shumë se mos vallë me kërkesën e saj e kishte humbur përgjithmonë edhe atë…” shkruante Nishliu në tregimin “Bilbilja shqiptare e Nishit”, botuar në revistën “Otadžbina” në vitin 1877. Autori i nënshkruar si “Nishliu” më vonë ishte konfirmuar se ai ka qenë Nikolla Gjoriq. Në këtë pjesë të dytë të tregimit shpaloset martesa e shqiptares Emine. Ajo sfidoi ata që i vardieseshin me prishjen e agjërimit”

Nishliu

Edhe mirë ka bërë ai oficeri që e la Eminenë në Nish!

Ky ishte ngushëllimi dhe hakmarrja ime për atë çast, por të nesërmen shkova në han. Emineja u soll sikur dje të mos e kishte thënë asnjë fjalë. Unë ndalova t’i shikoja argëtuesit e tjerë, shumë prej të cilëve kishin pirë, por shumica prej tyre tashmë kishin kaluar mu ashtu siç kalova unë ditë më parë; dhe ky ishte ngushëllimi im i ri. Të paktën nuk kalova më keq se të tjerët dhe nuk isha më fatkeq se të tjerët.

Si u mashtrova keq?!

Megjithatë, ne nuk ishim të gjithë të barabartë e pa dallime mes vete. Në hanin e Ejupit vinte për të pirë kafe edhe Hasan Uzuni, një djalë i pashëm, nga një shtëpi e mirë. Tani ai jeton diku rreth Stambollit. Hasani migroi kur Nishi kaloi në duart tuaja.

Prej të gjithë neve vetëm Hasan Uzuni nuk vrapoi kurrë pas këngëtares sonë; nuk e shfaqi asnjë ndjenjë të hapur, se ishte magjepsur nga bukuria apo kënga e saj edhe pse edhe ai sikur ne çdo natë vinte në han. Ai asnjëherë nuk iu vardis Eminesë. Dhe ja halli. Vajza e vuri re shpejt se Hasani nuk ishte si të tjerët; asaj ai i dukej shumë i pazakontë, prandaj si çdo grua, bëri çmos për ta pushtuar atë dhe për ta mbërthyer në grackat e saj tanimë të njohura! Sigurisht, të gjitha këto ajo i bëri me shumë kujdes, saqë në fillim askush nuk mund të hetonte asgjë, por syve të mi nuk mund t’i shpëtonte asgjë. Nga një dashnor i zjarrtë unë u bëra një maçok që përgjon. Dhe kështu më vinte, sikur Hasani të ishte i dashuruar si gjithë të tjerët, vetëm se ai e fshihte këtë ndjenjë ose sepse ishte i urtë ose ishte i turpshëm. Dhe kjo sjellje e Hasanit i përgjigjej vullnetit të Eminesë. Mu ky frenimi dhe qëndrimi i tij, Eminesë i dukej mashkullor dhe dinjitoz, dhe për mua më në fund ishte e qartë si dita se ajo e donte Hasanin me gjithë zemër dhe shpirt. Dashuria e tyre nuk mund të fshihej më: dashuria e re dalëngadalë e shtyri anash atë të vjetrën dhe thjesht u desh edhe pak kohë që këtë ta vërenin të gjithë të tjerët.

Rrëmuja e mysafirëve në han mori hov edhe më tepër. Njerëzit më në fund nisën të zemëroheshin dhe kërkuan që t’i jepej fund kësaj pasigurie. Lëreni të shkojë Emineja më kë të dojë ajo; të tjerët do të jenë të kënaqur me fatin e tyre. Por, që kjo gjendje të vazhdojë të mbetej si më parë kjo nuk durohej më. Bukuroshja shqiptare u gjet në një situatë të çuditshme dhe kur pa se çështja është shumë serioze, ajo kërkoi kohë prej tre muajsh për të menduar se me kë të shkonte më në fund.

Ajo shpresoi që për këtë kohë Hasani do të hapte gojën. Por, kaluan tre muaj dhe ai nuk e tha asnjë fjalë për dashurinë.

Emineja u mërzit shumë kur u afrua fundi i afatit tremujor. Ajo më në fund duhej të bindej se ishte mashtruar në llogaritjet dhe pritshmëritë e saj, se Hasani i ri as nuk e ëndërronte dashurinë dhe se ajo me të vërtetë ishte e çmendur, se i dha zemrën atij.

Kur në mbrëmje Emineja erdhi për kafe si zakonisht, u pa se ajo ishte e zbehur dhe e merakosur. Mysafirët ishin mbledhur të gjithë dhe ishin ulur në minder. Pinin duhan dhe heshtnin. Edhe Hasani ishte në vendin e tij të zakonshëm. Emineja e mori tamburenë dhe filloi të këndojë diçka që ishte e pakuptimtë. Pas kësaj, ajo këndoi një këngë të trishtë shqiptare, që kurrë më parë nuk e kishte kënduar. Zëri i saj është i butë, më i dobët se më parë, por ai nuk i dridhej, përkundër që gjoksi i saj gufonte në çdo frymëmarrje të saj. Sytë e saj ishin plot me lot dhe ajo e kishte ngritur shikimin aq lart, saqë sytë tanë nuk mund të përputheshin me sytë e saj. Ishte një këngë shqiptare që edhe burrat më të fuqishëm i bënte të qajnë. Të gjithë po i dëgjonin tingujt e çuditshëm të tronditur dhe kur kaluan vargjet e fundit, në han ra një heshtje vdekjeje. Njerëzit mbetën pa fjalë e të tronditur dhe vetëm pas pak çastesh njëri nga të ftuarit u ngrit dhe filloi:

Emine, afati yt sot ka kaluar dhe tani duhet ta përmbushësh premtimin. Këtu jemi të gjithë, ndaj zgjidhe një burrë prej nesh. Nuk ka më vonesa apo justifikime.

E di, e di shumë mirë, – u përgjigj Emineja, – dhe do ta mbaj fja­lën, por doja vetëm të kërkoja që të më jepni edhe pak kohë për të men­duar, ndoshta edhe tre muaj.

Të gjithë filluan të zemërohen; vetëm Hasani nuk tha asnjë fjalë.

Në tre muajt e ardhshëm të gjithë mund të vdesim, bërtiti dikush.

Nuk është aq e lehtë të vdesësh, u përgjigj Emineja. Para së gjithash pse po çuditeni se pse unë nuk mund të vendos kë ta zgjedh kur vetë ju ke­ni faj për këtë, sepse askush nuk mundi të më tërheqë me diçka të veçantë.

Çfarë?! Nuk u përpoqëm –  bërtitën të gjithë.

A nuk t’i ofrova njëmijë mexhidi, 1000 ? –  tha njëri.

A nuk ju dërgova në shtëpi byzylykë të artë për këmbët dhe duart? –  vazhdoi tjetri.

A nuk t’i dhurova tre qilimat më të bukur të Pirotit? –  bërtiti i treti.

Dhe të gjithë duhej t’ia kujtonin veçmas Eminesë se kush dhe çka i kishte ofruar, kështu që shurukama u bë e fuqishme, saqë dukej se njerë­zit ishin duke u grindur rreth diçkaje. Vetëm Hasani ishte i heshtur, por fytyra e tij ishte e zbehur si një leckë.

Heshtni, heshtni! – filloi Emineja duke e tundur dorën. Megjithatë, më duhet të them përsëri se nuk keni bërë asgjë! Unë nuk kam nevojë për asgjë nga ju, mexhiditë e tua Jusuf mbaji për vete. Ti Jakup mund të vish t’i marrësh prapa byzylykët e tu kur ta kesh qejfin! Unë do t’jua kthej prapa ato dhurata me zemër të lumtur; dhe në qilimat e tu Osman, po pushon Mejremja ime në ta edhe për këtë ajo të është shumë mirënjohëse. Të gjitha këto për mua nuk vlejnë asgjë. Për mua është dashur të bëni diçka të pazakontë.

Thuaj çfarë? –  bërtitën të gjithë. Ne do t’ju dëgjojmë.

Por, për hir të Allahut, a thua unë do t’ju them se çfarë të bëni? A nuk iu mjaftuan tre muaj të plotë për të menduar për këtë.

Trending