Një rast serioz mashtrimi financiar është raportuar më 12 janar 2026, rreth orës 11:30, në SPB Tetovë. Një 70-vjeçar nga një fshat i rajonit të Tetovës ka denoncuar se ai dhe vëllai i tij janë mashtruar për një shumë prej 15.000 eurosh nga një person me iniciale L., nga Tetova.
Sipas raportimit, gjatë vitit 2024, i dyshuari u kishte ofruar dy vëllezërve ndihmë për realizimin e të drejtës së pensionit nga një shtet i huaj, duke u prezantuar si person që mund të ndërmjetësonte procedurat përkatëse, pasi ata kishin përvojë pune jashtë vendit.
Në disa raste, i dyshuari u kishte kërkuar shuma parash si depozitë, për të cilat viktimat kishin nënshkruar dokumente blanko, autorizime të paplotësuara dhe fletëpagesa, me arsyetimin se kjo do të përshpejtonte procedurën. Me kalimin e kohës dhe mosrealizimin e premtimeve, dy vëllezërit kanë kuptuar se janë mashtruar dhe kanë raportuar rastin në polici.
SPB Tetovë njofton se po ndërmerren masa intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësisë penale.





