Sipas të dhënave zyrtare nga SPB Tetovë, në periudhën 1 janar – 30 qershor 2025 janë evidentuar gjithsej 25 raste të mashtrimeve në territorin e mbuluar nga ky sektor (17 në Tetovë dhe 8 në Gostivar). Në të njëjtën kohë, janë dorëzuar 32 kallëzime penale në gjykatat kompetente (15 në Tetovë dhe 17 në Gostivar) kundër gjithsej 28 autorëve të njohur dhe 4 të panjohur, për veprat penale “mashtrim” dhe “mashtrim kompjuterik”.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, vihet re një rënie e lehtë e numrit të këtyre veprave penale. Megjithatë, autoritetet theksojnë se forma dhe mënyra e kryerjes mbeten të njëjta: mashtrime përmes rrjeteve sociale, sulme bankare, blerje e shitje të rreme, telefonata mashtruese për “aksidente të rënda” dhe mashtrime kompjuterike të natyrave të ndryshme. Vlen të theksohet se këtë vit nuk janë regjistruar raste të mashtrimeve përmes organizimeve të rreme festive apo seminareve.
Sipas nenit 247 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për veprën penale “mashtrim”, dënimet variojnë nga 3 muaj deri në 10 vjet burg, në varësi të vlerës së dëmit të shkaktuar.
SPB Tetovë përmes sektorit për krim kibernetik apelon për vigjilencë maksimale: qytetarët të mos pranojnë të instalojnë aplikacione të panjohura për qasje në distancë, të shmangin kontaktet me persona të panjohur që premtojnë fitime online dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë në MPB apo në bankën përkatëse.










