Mbi 1.7 milionë haxhilerë u mblodhën para agimit të së mërkurës në Mina për të kryer ritin simbolik të gjuajtjes së gurëve ndaj shtyllës që përfaqëson djallin, duke shënuar nisjen e festës së Kurban Bajramit. Kjo ndodhi pasi ata kaluan natën në Muzdelife, një nga ndalesat më të rëndësishme të haxhit.
Pas qëndrimit në Arafat, haxhilerët mblodhën gurë të vegjël në Muzdelife për ritin e gjuajtjes së “Xhemretul Akabes”, shtyllës më të madhe nga tri shtyllat që simbolizojnë shejtanin.
Lëvizja e miliona besimtarëve nga Arafati në Muzdelife dhe më pas në Mina u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, shëndetësore dhe transporti. Autoritetet saudite vendosën pika freskuese me spërkatje uji përgjatë rrugëve për të përballuar temperaturat e larta të shkretëtirës.
Në Muzdelife, haxhilerët e kaluan natën në lutje dhe lexim të Kuranit, para se të niseshin në agim drejt Minës për ritin e parë të gjuajtjes së gurëve në Ditën e Kurbanit.
Pas këtij rituali, haxhilerët kryejnë therjen e kurbanit dhe rruajnë ose shkurtojnë flokët, duke shënuar daljen e pjesshme nga gjendja e ihramit. Më pas, shumë prej tyre shkojnë në Qaben e Shenjtë në Mekë për të kryer tavafin dhe sajin.
Një ditë më parë, miliona haxhilerë u mblodhën në fushën e Arafatit, që konsiderohet kulmi shpirtëror i haxhit, ku u lutën dhe dëgjuan hutben tradicionale në Xhaminë Nemira.
Sipas autoriteteve saudite, këtë vit haxhin po e kryejnë 1,707,301 haxhilerë, ose 2.04 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Prej tyre, mbi 1.5 milionë kanë ardhur nga jashtë Arabisë Saudite, ndërsa rreth 160 mijë janë banorë dhe rezidentë të vendit.
Për mbarëvajtjen e haxhit janë angazhuar mbi 441 mijë punonjës të sigurisë, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera, të cilët po kujdesen për sigurinë dhe lëvizjen e besimtarëve gjatë ditëve të mbetura të pelegrinazhit.





