Trendy

Mbi 200 shqiptarë të deportuar nga Gjermania në fillim të 2025

Para 10 muaj

Autoritetet gjermane deportuan 223 shtetas shqiptarë në tre muajt e parë të vitit 2025, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet më të prekura të Ballkanit Perëndimor nga kthimet.
Albanian Post ka siguruar të dhënat përmes një dokumenti zyrtar të Bundestag-ut gjerman.
Nga një total prej 1 mijë e 339 grash dhe 1 mijë e 118 të miturish të deportuar gjatë këtij tremujori, 50 gra dhe 44 të mitur ishin shtetas shqiptarë.
Në katër raste, autoritetet gjermane konfirmuan përdorimin e forcës fizike kundër qytetarëve shqiptarë gjatë operacioneve të dëbimit.

Deportimet janë realizuar nëpërmjet një sërë fluturimesh çarter, të organizuara nga qytete të ndryshme gjermane.

Ndër fluturimet kryesore të këtij tremujori ishin:
Më 20 janar, nga Hanoveri, u deportuan 30 shqiptarë, së bashku me 15 kosovarë.
Më 21 janar, nga Baden-Badeni, 16 shqiptarë dhe 43 kosovarë u kthyen po ashtu.
Më 29 janar, nga Mynihu, 18 shqiptarë dhe 12 kosovarë u dëbuan.
5 shkurt, nga Dyseldorfi, autoritetet gjermane kthyen 46 shqiptarë dhe 39 kosovarë.
20 shkurt, nga Hamburgu, u larguan 16 shqiptarë dhe 1 kosovar.
Më 12 mars, një tjetër operacion i madh nga Dyseldorfi ktheu 39 shqiptarë dhe 37 kosovarë.

Sipas të dhënave zyrtare, shqiptarët përbënin 223 nga 6 mijë e 151 deportimet totale të realizuara në Gjermani në tremujorin e parë të vitit 2025.

Gjermania e ka klasifikuar Shqipërinë si një “vend të sigurt origjine”, duke rezultuar në refuzimin sistematik të kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë.

Në tremujorin e parë të vitit 2025, Franca, Gjermania dhe Qiproja kthyen më shumë emigrantë të parregullt, sipas Eurostat, me Luksemburgun, Slloveninë dhe Sllovakinë që renditen të fundit.

Më pak se një muaj pasi u betua koalicioni i ri qeveritar dypartiak i Gjermanisë, ministri i ri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka pohuar se qasja më e ashpër e qeverisë së tij ndaj politikës së migracionit është një sukses.

“Kërkesat për azil në kufi janë gjithashtu të ulëta sepse fjala është përhapur shpejt se hyrja në Republikën Federale të Gjermanisë nuk është më e garantuar pavarësisht kërkesave për azil”, tha Dobrindt për gazetën Welt am Sonntag.

Trending