Trendy

Mbi 70% e mjekëve në Maqedoninë e Veriut janë përballur me dhunë në vendin e punës

Para 1 orë

Shëndetësia në Maqedoninë e Veriut po lëngon nga një “epidemi” e heshtur: dhuna ndaj atyre që shpëtojnë jetë. Në Ditën Evropiane kundër Dhunës ndaj Punonjësve Shëndetësorë, Oda e Mjekëve ka lëshuar një alarm ulëritës, duke zbuluar se mbi 70% e mjekëve janë përballur me sulme në vendin e tyre të punës, përcjell INA.

Në vend që të jenë të mbrojtur brenda mureve të spitaleve, doktorët janë shndërruar në tabela qitjeje për agresionin verbal dhe fizik. Shifrat e prezantuara nga Oda e Mjekëve janë tronditëse: 80% e mjekëve kanë përjetuar fyerje e kërcënime, ndërsa rreth 7% kanë qenë viktima të sulmeve brutale fizike.

“Doktorët nuk janë armiq e as shkaktarë të dështimeve të sistemit,” deklaroi prof. dr. Kalina Grivçeva Stardelova, kryetare e Odës. “Ata janë në vijën e parë të frontit, shpesh në kushte ekstreme, dhe dhuna ndaj tyre nuk është vetëm sulm personal, por goditje ndaj të gjithë sistemit dhe pacientëve që presin ndihmë.”

Edhe pse ligji i vitit 2023 e klasifikon sulmin ndaj mjekut si sulm ndaj personit zyrtar, dora e shtetit mbetet e plogësht. Gati 70% e incidenteve nuk raportohen fare, pasi mjekët kanë humbur besimin te procedurat ose janë dorëzuar para idesë se dhuna është “pjesë e punës”. Vitin e kaluar, MPB-ja regjistroi vetëm dy kallëzime penale – një shifër qesharake përballë realitetit të zi nëpër korridoret e spitaleve.

Psikiatri Kardi Haxhihamza paralajmëroi se ky mjedis toksik po nxit eksodin e bluzave të bardha: “Stresi, ankthi dhe ‘burnout’ po i detyrojnë mjekët tanë të braktisin profesionin ose të ikin jashtë shtetit. Pa siguri në punë, nuk mund të kemi shëndetësi.”

Oda e Mjekëve kërkon “Zero Tolerancë” dhe fundin e linçimit digjital. Mesazhi është i qartë: pa mbrojtur mjekun, nuk mund të mbrohet jeta. Humaniteti është rrugë me dy krahë, dhe sot, bluzat e bardha në Maqedoni po ecin vetëm në krahun e rrezikut.(INA)

Trending