Trendy

“Mbreti më i ri në botë” ndërron jetë pas një sëmundjeje që nuk ishte bërë publike

Para 1 orë

Mbreti Oyo Nyimba i Tooros, një prej monarkëve tradicionalë më të njohur të Ugandës, ka vdekur në moshën 34-vjeçare.

Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur të premten nga kryeministri i Mbretërisë së Tooros, Calvin Rwomiire Akiiki.

“Vazhdimësia e Kurorës është e garantuar”, thuhet në njoftim, ku bëhet e ditur se mbreti lë pas një princ trashëgimtar, identiteti i të cilit do të publikohet në përputhje me traditat e mbretërisë.

Vdekja e Oyo-s ka tronditur Ugandën, pasi më herët nuk ishte bërë publike natyra e problemit shëndetësor për të cilin ai po trajtohej jashtë vendit.

Mbreti Oyo u kurorëzua në vitin 1995, kur ishte vetëm tre vjeç, pas vdekjes së babait të tij. Gjatë ceremonisë së kurorëzimit ai mori emrin zyrtar Oyo Nyimba Kabamba Iguru Rukidi IV.

Për vite me radhë ai njihej edhe si “mbreti më i ri në botë”, ndërsa deri në moshën 18-vjeçare mbretëria u drejtua përmes regjentëve.

Oyo ishte një figurë e njohur edhe ndërkombëtarisht dhe kishte takuar liderë të shumtë botërorë. Ish-udhëheqësi libian Muammar Gaddafi kishte lidhje të afërta me familjen mbretërore të Tooros dhe e kishte mbështetur atë për vite me radhë.

Tooro është një prej mbretërive tradicionale të Ugandës. Edhe pse monarkët nuk kanë pushtet politik, ata vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm si mbrojtës të kulturës dhe traditës së komuniteteve të tyre.

Trending