“Vera kulturore e Tetovës” këtë vit do të fillojë më 16 korrik dhe do të zgjasë deri më 30 korrik. Festivali do të fillojë me javën sportive, ku do të organizohen gara në not tek pishina e qytetit, ndërsa do të pasohet nga një sërë aktivitetesh kulturore e argëtuese. Risia e kësaj vere kulturore, është ardhja e një sërë grupesh të njohura muzikore.
“Më datë 26 kemi koncertin madhështor për nder të mërgimtarëve nga Xheladin Zeqiri. Pastaj vazhdon java e rinisë tetovarë “N’rrugë Fest”, që fillon me 26, me grupin muzikor Xheriko, 27 Fisnikët dhe Fjolla Ibrahimi, si dhe gala pritja e Xheladin Zeqirit me rastin e 75 vjetorit. Pastaj 29 kemi Big Mama, Shkumbin Ismaili, Elita Ziberi. Netët Rinore do të realizohen tek ish Ronaldoja. Kemi bërë kërkesë deri tek SPB-ja që në një pjesë rruge në shesh të ndalohet për makinat dhe presim konfirmimin nga SPB”, deklaroi Besarta Ramadani. Zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Në kuadër të aktiviteteve të sivjetme, kanë filluar bisedimet edhe me Sektorin e Punëve të Brendshme ku edhe është bërë kërkesa për mbylljen e bulevardit “Iliria” për makinat gjatë dy javëve sa do zgjas Vera Kulturore në Tetovë.
“Komuna e Tetovës është në bisedime me Sektorin e Punëve të Brendshme të Tetovës për gjetjen e një zgjidhjeje për njëkahëzimin e disa rrugëve në qytet, si dhe mbylljen eventuale të njërit nga bulevardet për qarkullim të makinave, me qëllim shfrytëzimin e të njëjtit si pedonale gjatë kohës që do realizohet Vera Kulturore Tetovare”, njoftojnë nga SPB Tetovë.
“Vera Kulturore Tetovare” sivjet do të përmbyllet me një aktivitet madhështor siç është festivali i filmit TIFF ODA 2024, i cili do të sjellë aktorë, regjisorë e producentë nga e gjithë bota. /Alsat.mk