Trendy

Me “ndjekjen” e një veture BMW X5 dhe me këngë rep, Policia Intervenuese feston 6-vjetorin

Para 3 muaj

Ndaj të gjithë ekipeve në terren, po kërkohet një BMW X5 e bardhë pa targa. Personi është i maskuar dhe me shumë gjasa i armatosur. Automjeti po lëviz nga “Xhon Kenedi”, drejt “Cvetan Dimov”, me këto fjalë nis videoja e publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, me rastin e 6-vjetorit nga themelimi i Njësisë së Policisë për Ndërhyrje, përcjell TV21. Videoja është e shoqëruar nga një këngë rep.

Njësiti përshkruhet përmes një kënge me autor anonim, si pjesë elitare dhe e pandashme e sistemit të sigurisë, detyra parësore e së cilës është mbrojtja e qytetarëve dhe e rendit shtetëror dhe se veprimtaria e tyre udhëhiqet nga parimet e guximit, krenarisë, ligjit dhe rendit, duke u shfaqur si aktorë kyç në situata ku shërbimet e tjera ndalen.

Përmes këngës përshkruhen detyrat e pjesëtarëve të kësaj njësie, të cilët janë të trajnuar të reagojnë në mënyrë efikase dhe pa kompromis, duke vepruar si “mburojë” për Maqedoninë në momentet kur paqja dhe ligji janë të rrezikuara.

Nga MPB thonë se fusha e veprimit të tyre përfshin një spektër të gjerë operacionesh komplekse, si: ndjekja dhe arrestimi i personave të armatosur dhe të maskuar, lokalizimi dhe shtypja e grupeve kriminale të organizuara, privimi nga liria i personave që kërkohen me urdhër-arreste qendrore për vuajtje të dënimeve me burg, si dhe zbulimi dhe sekuestrimi i sasive të mëdha të drogave narkotike.

-Edhe një aksion i suksesshëm i Policisë Intervenuese. Sot u lokalizua dhe u shkatërrua një grup i krimit të organizuar. Pas informacioneve të ndërmarra dhe ndjekjes së shkurtër, është arrestuar një person që kërkohet me fletarrestim qendror, për vuajtje të dënimit me burg. Pas informacioneve paraprake, Njësia e Policisë Intervenuese, privoi nga liria 3 persona, gjatë kontrollit të të cilëve është gjetur sasi e madhe e drogave të ndryshme, janë fjalët mbyllëse të videos.

Trending