Mozaiku, piktura dhe skulptura janë tri veprat e shpalosura mbrëmë nga autori tetovar Nevzat Bejtuli Kica. Veprat janë me motive dhe inspirim nga “Ardhja e Princërve”, ndërsa në skulpturë, autori Kica ka vendosur atë që është tipike për veprat e tij shumëvjeçare, “kalorësin e paqes”.
Vepra e dytë që u prezantua sonte para publikut ishte mozaiku, i cili, edhe pse i punuar kohë më parë nga autori Kica, megjithatë kishte një përmbajtje vizuale të mrekullueshme të ardhjes së princërve.
Ajo që kulmoi prezantimin e kësaj nate dhe që ngjalloi më shumë interes tek vizitorët, ishte piktura që nga vetë autori ishte emëruar “Kënga e Rexhës”.
Ky projekt i piktorit Nevzat Kica financiarisht u përkrah nga Ministria për Sistem Politik, ndërsa planet e tij janë që në të ardhmen, kalorësi dhe mozaiku i këngës së Rexhës të vendosen edhe në Sheshin e Tetovës.