Trendy

MEPSO ka kërkuar një analizë forenzike përmes USAID-it, dhe mbi bazën e saj është marrë vendimi për ndërprerjen e kontratës!

Para 24 minuta

BDI sot nuk mbron qytetarët, por mbron interesa private dhe kontrata të dyshimta, përmes të cilave për vite me radhë janë mbushur me para nga xhepat e qytetarëve. Në vend që të japë përgjigje pse projekti për interkoneksionin me Shqipërinë u bllokua për më shumë se gjysmë dekade, BDI zgjedh të sulmojë dhe të manipulojë, duke u përpjekur të fshehë dështimin e vet dhe interesat që qëndrojnë pas kësaj.
Prishja e një kontrate që nuk është realizuar, por që ka tërhequr mjete të konsiderueshme nga qytetarët, është arsyeja e panikut në BDI. Ata kanë qenë përfitues të këtyre fondeve të nxjerra në mënyrë të dyshimtë.

Është koha që të ndalet shprehia e përdorimit të politikës për pasurim personal të një grushti familjesh nga maja e BDI-së. Le të bërtasin, le të panikosen, le të nervozohen. Koha kur ata u shndërruan në borgjezi mbi kurrizin e shqiptarëve ka përfunduar.
Qytetari ka të drejtë të dijë se në këtë projekt, si nënkontraktorë, gjatë kohës së BDI-së janë paraqitur persona ekskluzivisht të afërt me lidershipin e saj, ndër të cilët edhe Nefiu nga Ohri, i lidhur drejtpërdrejt me Ali Ahmetin dhe Bujar Osmanin.

Është e qartë se përmes kontratave fiktive dhe detyrimeve të parealizuara janë zhvendosur mjete publike drejt kompanive të lidhura me BDI-në dhe me persona të afërt me Ali Ahmetin dhe Bujar Osmanin. Kjo është arsyeja e panikut të tyre.
Ne nuk pajtohemi me anekse të reja në vlerë mbi 8 milionë euro, para të qytetarëve, që rrezikojnë të përfundojnë në xhepat e Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit.

Faktet janë të qarta dhe të pakontestueshme. Kompania që BDI sot e mbron ka realizuar vetëm rreth 4% të projektit në një periudhë prej më shumë se pesë vitesh. Në vend që të ndërtonte, projekti ishte plotësisht i bllokuar, pa aktivitete në terren, ndërkohë që paralelisht kërkoheshin mjete shtesë dhe anekse që arrinin deri në 50% të vlerës së kontratës. Kjo nuk është realizim – ky është sistem i tërheqjes së parave.

BDI sot flet për dëm, por hesht për dëmin real që është shkaktuar me vite. Shteti ka paguar kamata për kredi që nga viti 2015, pa u realizuar projekti, ndërsa sipas analizave të MEPSO-s, çdo vit vonesë ka sjellë humbje milionëshe shtesë. Kjo është kostoja reale e mënyrës së tyre të qeverisjes.

Vendimi për prishjen e kësaj kontrate nuk është marrë në mënyrë arbitrare, por pas një forenzike të detajuar dhe analize të thellë, në përputhje të plotë me rregullat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Çdo hap – si prishja e kontratës, ashtu edhe procedura e re – është bërë me miratim dhe nën mbikëqyrjen e BERZH-it, një institucion ndërkombëtar që vepron mbi bazën e rregullave, procedurave dhe fakteve.
Para prishjes së kontratës, me kërkesë të MEPSO-s, është kryer një forenzikë e detajuar e të gjitha aspekteve të kontratës, me udhëzime për veprim, si pjesë e projektit të USAID-it.

Përpjekja e BDI-së për ta paraqitur procedurën para DAB si vendim përfundimtar është manipulim i rëndë. Bëhet fjalë për një mekanizëm para-arbitrazhi, i cili nuk përbën vendim përfundimtar juridik dhe ku shteti ka të drejtë të plotë të përdorë të gjitha mjetet ligjore.
Ndërkohë, tenderi i ri i është dhënë një konsorciumi të udhëhequr nga Dalekovod d.d., pjesë e grupit KONÇAR, kompani me përvojë në dhjetëra shtete evropiane dhe që operon sipas standardeve më të larta.
BDI trembet nga fakti se më në fund po shihet progres konkret. Projekti që ata e mbajtën “të vdekur” për vite, sot po lëviz dhe do të realizohet.
BDI nuk ka ndërtuar asnjë lidhje serioze infrastrukturore apo energjetike me Shqipërinë apo Kosovën. Të gjitha projektet janë bllokuar, shtyrë dhe sabotuar.
Prandaj reagimi i tyre sot nuk është shqetësim për qytetarët, por panik nga ndryshimi i realitetit. BDI po përçahet dhe dobësohet, ndërsa VLEN po bashkohet dhe po rritet.
BDI mund të vazhdojë të gënjejë dhe të insinojë sa të dojë. Por e vërteta është një:

Ata nuk ndërtuan – ata nxorën para për vete.
VLEN ndërton dhe do të vazhdojë të ndërtojë.

Trending