Trendy

Mërgimtari 28 vjeçar është dënuar me pesë vite burg në Gjermani dhe përballet gjithashtu me dëbim nga vendi, ja pse

Para 3 orë

Një 28-vjeçar nga Kosova është dënuar me pesë vite burg në Gjermani dhe përballet gjithashtu me dëbim nga vendi, pasi shkaktoi një aksident fatal gjatë një gare ilegale me makina.

Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2019 në qytetin Moers, ku i riu po drejtonte automjetin me shpejtësi ekstreme, rreth 167 km/h, brenda zonës urbane dhe në korsinë e kundërt. Si pasojë, ai u përplas me një automjet tjetër, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje 43-vjeçare, nënë e dy fëmijëve.

Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, pas përfundimit të procesit gjyqësor, gjykata e shpalli fajtor për vrasje nga pakujdesia në rrethana të rënda dhe e dënoi me pesë vite burg, dënim të cilin ai tashmë po e vuan.

Paralelisht, autoritetet gjermane kanë marrë vendim për dëbimin e tij nga Gjermania. Më 27 mars 2026, Gjykata Administrative në Dyseldorf hodhi poshtë ankesën e tij, duke mbështetur vendimin e autoriteteve në Duisburg.

Gjykata vlerësoi se sjellja e tij jashtëzakonisht e rrezikshme dhe pasojat tragjike të aksidentit krijojnë një interes të fortë publik për largimin e tij nga vendi. Po ashtu, u theksua rreziku i përsëritjes së veprave penale, për shkak të mungesës së reflektimit të plotë mbi veprimin e kryer.

Megjithëse i dënuari ka lindur në Gjermani dhe ka lidhje familjare atje, këto rrethana nuk u konsideruan të mjaftueshme për të penguar dëbimin. Sipas vendimit, ai pritet të riintegrohet në Kosovë, edhe pse deri tani ka qëndruar atje vetëm për pushime.

Vendimi ende nuk është përfundimtar, pasi i dënuari ka të drejtë të apelojë në Gjykatën e Lartë Administrative të landit Nordrhein-Westfalen.

Trending