“Picolo Mondo” është një vend i preferuar për githë qytetarët e qytetit Bërçko të Bosnje e Hercegovinës dhe jo vetëm. Në këtë qytet jetojnë boshnjakë, serbë e kroatë dhe për shkak të kësaj përbërje etnike, si dhe pozitës gjeografike që ka, Bërçko është shpallur “distrikt” i posaçëm, status që nuk e has në vend tjetër në BeH, shtet i cili është i ndarë në disa njësi federale dhe shumë kantone.
Por, përkundër dallimeve që ende janë prezente në Bërçko mes etnive të ndryshme, lokali “Picolo Mondo” frekuentohet nga të gjithë pa përjashtim. Dhe me shkak. Në këtë lokal shërbehet bureku, qoftet, qebapet dhe shumë specialitete tjera ushqimore, që lënë pas me kualitet specialitetet që shërbehen në shumicën e lokaleve tjera.
Historia e këtij lokali është mjaft e gjatë në kohë dhe interesante. Ajo fillon nga viti 1973 dhe me ndërprerje disavjeçare për shkak të luftës në Bosnje e Hercegovinë, vazhdon me sukses sot e kësaj dite.
Pronari i saj Abdiu është në këtë qytet të Bosnjes që nga viti 1971. Dajallarët e tij kishin ardhur disa vite më herët dhe kishin hapur një lokal.
“Lidhjet familjare aso kohe ishi më të forta mes njerëzve. Pak kohë sapo e hapën lokalin e tyre, dajallarët vendosën që edhe nipin (mua), t’a nxjerrin në selamet. Punova dy vite tek lokali i tyre, pastaj më ndihmuan që të hap lokalin tim”, fillon rrëfimin duke u kthyer 50 vite mbrapa.
Ai sot i është afruar të 70-tave dhe nuk është aktiv në punë, por u qëndron afër djemve të tij dhe u ofron ndihmë në menaxhim. Gjithnjë e më shpesh vjen në vendlindje, për të kompensuar sado pak kohën e humbur në gurbet.
“Ne këtu kemi qenë më afër, nëse bëjmë krahasim me mërgimtarët që i kemi në Evropën Perëndimore dhe vendet përtej oqeanit. Një kohë kemi jetuar në shtet të përbashkët. Por malli për vendlindjen ka qenë gjithmonë prezent. Paramendoni një fëmijë në moshë vetëm 15 vjeç të ndahet nga familja dhe të dalë në gurbet për të fituar kafshatën e gojës. Por ashtu ishte koha, patjetër duhej kërkuar rrugëdalje. Ishim të detyruar të rritemi e të piqemi më shpejt, siç thotë populli”, shprehet ai, deri sa në fjalët që i thotë vërehet urtësia dhe mençuria që e karakterizon.
Ai shpreh fjalët më të mirë për banorët e Bërçkos dhe për miqësinë që shumica prej tyre tregojnë për shqiptarët. Por në shtëpi ka një rregull.
“Me gjithë respektin për boshnjakët dhe për gjuhën e tyre, në shtëpi e kemi rregull të flasim vetëm shqip. Burrat, gratë, pleqtë, të rinjtë, fëmijët duhet ta respektojnë këtë rregull. Ne me këtë dëshmojmë se e respektojmë rrethin që na ka mirëpritur, por edhe më tepër respektojmë gjuhën tonë shqipe”, thotë Abdiu.
Në Brçko jetojnë rreth 200 shqiptarë. Ky qytet është një “Nyje Gordiane”, e cila ende nuk mund të zgjidhet, përkundër shumë negociatave, përpjekjeve dhe ndërmjetësimeve nga ndërkombëtarët.
Shqiptarët në përgjithësi meren me gastronomi dhe posedojnë furra të bukës, gjelltore, restorante e biznese tjera, që janë në zë të mirë në këtë qytet.
“Ne e bëjmë punën tonë, politikanët le ta bëjnë të veten. Për ne me rëndësi është që mushterinjve të ju ofrojmë shërbime sa më të mira që ata të jenë të kënaqur”, thotë Mevaip Abdiu.
Abdiu është njeri i respektuar në komunitet, si tek shqiptarët tanë atje, poashtu edhe tek komunitetet tjera. Shpeshherë ditët i kalon në shoqëri të bashkëvendasit të tij, Bajram Ziberi, i cili qëndron shpesh në Bërçko për të vizituar familjarët.
Edhe Ziberi është një mërgimtar nga fshati Kamjan, i cili gjatë tërë jetës si gastronom i njohur ka punuar në republikat e ish Jugosllavisë, por edhe në Shqipëri.
“I tillë ka qenë fati i gjeneratave tona, sepse ka qenë e vështirë që ekzistenca të sigurohet në vendlindje. Kemi sakrifikuar sa kemi mundur për familjen dhe gjeneratat e reja. Jemi të kënaqur që kemi arritur të ndërtojmë gjenerata që janë shembullorë gjithkund ku jetojnë”, shpreht Ziberi në bashkëbisedimin e tij për Lideri.mk.
Me përshtypje më se pozitive largohemi nga Bërçko, qytet ku Lideri.mk ishte medium i ftuar mes shumë mediave serioze rajonale në një event të rëndësishëm gazetaresk. Por edhe me bindjen se u realizuan parashikimet që i kishim bë para se të nisemi, se edhe në këtë cep të Bosnjes do të takojmë shqiptarë që na bëjnë të krenohemi. Zatën, siç jemi bindur shumë herë, shqiptarët i gjen gjithandej nëpër botë, madje po shkove edhe në Kinë ose Japoni, e lëre më në trevat e Ballkanit. Dhe gjithsesi kënaqësia e krenaria është edhe më e madhe kur udhëton në vend të afërt ose të largët dhe takon mërgimtarë shembullorë, siç ishin edhe Ibrahim Abdiu e Muharrem Zyberi, dy mërgimtarë në moshë të shtyrë nga fshati Kamjan i Tetovës.
(Përgatiti dhe redaktoi: Q. Bajrami, Foto: E. Berisha)








