Trendy

Merz: Gjermania nis bisedime direkte me Iranin pas një “periudhe të gjatë heshtjeje”

Para 1 orë

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka deklaruar se i ka bërë të ditur Donald Trump se, pas marrëveshjes së armëpushimit, Gjermania është e gatshme të kontribuojë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit në kuadër të një mandati ndërkombëtar.

Merz u shpreh gjithashtu se është i bindur që qëllimi i Trump nuk është shkatërrimi i një qytetërimi të tërë, duke iu referuar një deklarate të fortë të bërë nga lideri amerikan disa ditë më parë.

Ndërkohë, Gjermania ka nisur edhe bisedime direkte me udhëheqjen e Iranit. “Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, për të cilën kishim arsye serioze, tani si qeveri po rifillojmë bisedimet me Teheranin,” tha Merz, duke shtuar se këto kontakte do të zhvillohen në koordinim me SHBA-në dhe partnerët evropianë.

Ai theksoi gjithashtu se fushata e vazhdueshme ushtarake e Izraelit në Liban mbetet një shqetësim i veçantë, duke paralajmëruar se kjo situatë mund të çojë në dështimin e gjithë procesit të paqes, gjë që sipas tij nuk duhet të lejohet. (A2 Televizion)

Trending