Në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale, partitë politike kanë ashpërsuar përplasjet mes vete. Mediat pranojnë nga dhjetëra kumtesa në ditë të partive politike të cilat përmbajnë kritika, akuza e kundër – akuza mes partive në opozitë dhe atyre në pushtet. Kryesisht, debati mes tyre ka të bëjë me “punët që nuk ka bërë” qeveria e mëparshme – që tani është opozitë, si dhe “keqmenaxhimi dhe regresi që po bëhet” nga pushteti aktual, shkruan Portalb.mk.
Ndërkaq, ende pa nisur fushata për zgjedhjet lokale, partitë po zihen për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Opozita shqiptare në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje të parakohshme pasi konsideron se përfaqësuesit e shqiptarëve në pushtet nuk kanë legjitimitet, marrë parasysh rezultatet e fundit parlamentare ku koalicioni VLEN doli i dyti në bllokun shqiptar. Së fundmi, kjo temë u riaktualizua nga kryeministri Hristijan Mickoski, i cili u shpreh decid se, nuk do të ketë zgjedhje parlamentare dhe se koalicioni qeveritar është stabil.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim – AKI (koalicion i përbërë nga partitë shqiptare në opozitë) për Komunën e Çairit, Bujar Osmani i cili tha se kjo, sjellje është tregues i qartë frike dhe paniku dhe theksoi se shqiptarët nuk do të lejojnë askënd të tregtojë me legjitimitetin e tyre politik.
“E dëgjova dje deklaratën e orkestruar të përfaqësuesve të qeverisë. Kjo është shenjë frike, paniku dhe përpjekje për të përdorur instrumentet e fundit të shantazhit ndaj qytetarëve – se ata do të mbeten në pushtet dhe se qytetarët do të kenë probleme nëse nuk votojnë për ta”, deklaroi Osmani.
Sipas tij, insistimi i VMRO-DPMNE-së që të mos ketë zgjedhje vjen nga frika e një humbjeje zgjedhore të sigurt. Osmani gjithashtu e akuzoi Mickoskin për mesazhe të dyfishta: një gjuhë për publikun dhe një tjetër përmes emisareve.
“Ajo që më pengon më shumë është se kryeministri vazhdon me mesazhe të dyfishta – një për publikun dhe një tjetër përmes dërguesve të fshehtë, me porosi që ne të përgatitemi për një rekonstruksion të qeverisë pas zgjedhjeve”, – theksoi ai.
Por, VMRO – DPMNE në një kundër reagim, i ka quajtur shpifje pretendimet e Osmanit se kanë dërguar emisarë në BDI.
Shkak për këtë reagim është paraqitja e mbrëmshme e Bujar Osmanit në Çair, ku ai, sipas VMRO-DPMNE-së, ka shpërndarë shpifje për të ashtuquajturit “emisarë” nga VMRO-DPMNE dhe skenarë që ekzistojnë vetëm në fantazinë e tij.
Sipas partisë, me deklarata të tilla, Osmani po përpiqet të fshehë panikun në të cilin gjenden BDI dhe LSDM para humbjes së sigurt zgjedhore.
“Truket e vogla të kontit nga Zajazi nuk kalojnë as në një çerdhe”, – thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
VMRO thekson se të vetmit ‘emisarë’ që ata dërgojnë janë ata që e sjellin mesazhin e popullit, që sipas tyre është: përgjegjësi për kartelin kriminal BDI – LSDM, duke përmendur me emër Ali Ahmetin, Zoran Zaevin, Venko Filipçen, Artan Grubin dhe Bujar Osmanin.
“Pikërisht në zgjedhjet lokale, këto dy struktura më në fund dhe formalisht do të përfundojnë aty ku ka kohë që e kanë vendin – në koshin e historisë”.
Ndërkaq, edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, deklaroi sot se koalicioni qeveritar është unanim në qëndrimin se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ai theksoi se BDI nuk ka të drejtë morale të kritikojë, e aq më pak të flasë për procesin e integrimeve evropiane, pasi gjatë viteve që ishte në pushtet nuk bëri asgjë për ta çuar vendin përpara në këtë drejtim.
“Para nesh kemi pothuajse tre vite nga mandati me program të qartë, projekte dhe premtime ndaj qytetarëve. Po punojmë intensivisht për realizimin e tyre. Koalicioni qeveritar është njëzëri në qëndrimin se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, sepse ato janë shpenzime të panevojshme për qytetarët. BDI ka pasur mundësi gjatë tetë viteve të fundit, kur drejtonte edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme, por nuk ka lëvizur as edhe një milimetër drejt integrimit evropian. Prandaj, nuk ka asnjë të drejtë morale të kritikojë apo të flasë për këtë temë”, deklaroi Mexhiti.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, rrethi i parë dhe 2 nëntor, rrethi i dytë.
Fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë vazhdimisht deri më 17 tetor, ndërsa fushata për raundin e dytë zgjedhor do të zgjasë deri më 31 tetor.





