Takimet e ndara në Shkup të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, kanë zgjuar reagime të ndryshme në opinionin publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa Kurti u takua me drejtuesit e koalicionit VLEN, Rama zhvilloi takime me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, dy takime të ndara që, në vend të japin mesazhin e shumëpritur të bashkimit kombëtar, kanë hapur diskutime për një distancim të qëndrimeve.
Pamjet e ndara dhe axhendat e ndryshme janë interpretuar nga shumë komentues si shenja të një qasjeje të fragmentuar ndaj çështjeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në një kohë kur më shumë se kurrë kërkohet bashkërendim dhe unitet përballë sfidave të përbashkëta.
“Nuk kemi luksin të përçahemi, kur hallet janë të përbashkëta,” është një ndër komentet më të përhapura në rrjetet sociale pas vizitave. Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për mbështetje të sinqertë dhe të baraspeshuar nga të dyja qendrat, Tirana dhe Prishtina, e jo për vendosjen në binarë të ndarë të interesave politike.
Kjo qasje e fragmentuar rrezikon të krijojë një hendek të padëshiruar brenda faktorit politik shqiptar në vend, duke ulur potencialin për një përfaqësim të fuqishëm e të koordinuar në institucionet shtetërore.
Në këtë kontekst, zërat e arsyes theksojnë nevojën për maturi dhe bashkëpunim të ndërsjellë mes liderëve shqiptarë në rajon, me qëllim që të mos krijohen përshtypje të gabuara për qytetarët, sidomos në momente të ndjeshme politike.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut presin që të mos trajtohen si zonë ndikimi, por si pjesë integrale e një hapësire të përbashkët kombëtare, me qëllime të qarta: mirëqenie, përfaqësim të barabartë dhe respekt të ndërsjellë.
Mesazhi është i qartë: Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të japin sinjale të ndara në Shkup, sepse shqiptarët atje kanë nevojë për mbështetje të përbashkët dhe të paanshme./tetova1










