Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën shtet. Njohja duhet të vijë edhe nga shtetet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e UNMIK-u duhet të mbyllet. Këto ishin mesazhet e Kosovës, Britanisë së Madhe e të SHBA-së në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për raportin gjashtëmujor të UNMIK-ut. Në anën tjetër, Serbia e Rusia vazhduan në një vijë duke pretenduar pa bazë për spastrim të serbëve e për dhunë nga autoritetet e Kosovës. Ministri i Jashtëm Glauk Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i ka bërë thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet.
Konjufca ka shtuar se pengesa e vetme për normalizim raportesh është Serbia.
“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, ka thënë Konjufca.
Ai ka thënë se përkundër lulëzimit të demokracisë në Kosovë, Beogradi ka bërë përpjekje për të vazhduar rolin e vet destruktiv, me ndërhyrje në zgjedhje dhe mbështetjen për Listën Serbe.
“Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, ka thënë tutje ai.
Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe në Këshill të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje që sa më shumë anëtarë të OKB-së ta njohin Kosovën si shtet.
Tek ka kujtuar se është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, përfaqësuesja e Britanisë ka thënë se njohja e Kosovës është esenciale për stabilitet afatgjatë.
Ajo ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve dhe si hap konstruktiv zgjidhjen për zbatimin e Ligjit për të huajt. Ka përsëritur thirrjen që Serbia të ulë tensionet dhe t’i vërë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë.
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshill të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Tammy Bruce, ka përsëritur qëndrimin e SHBA-së për mbylljen e misionit të UNMIK-ut.
Ajo ka thënë se udhëheqja nga institucionet e Kosovës dhe prania ndërkombëtare shpie në drejtimin e njëjtë se UNMIK-ut i ka ardhur fundi.
“UNMIK-u është krijuar më 1999 në bazë të Rezolutës 1244 për të ofruar një prani ndërkombëtare për të ndihmuar në stabilizimin e mjedisit pas luftës në Kosovë. Ky ka qenë moment tjetër, mision tjetër dhe Kosova ka qenë vend tjetër. Tani kjo nuk është realiteti në terren. Nuk ka arsyetim që Kosova të trajtohet më 2026 sikur ë ishte në vitin 1999. Sot KFOR-i ndihmon që të ruhet siguria në rajon. UNMIK-u nuk luan më rol as qeverisës, as ushtarak e as të ndërmjetësimit. Nuk po adreson as sigurinë e as paqeruajtjen dhe nuk po e avancon as normalizimin”, ka thënë ajo.
Ajo u ka kërkuar shteteve që financojnë UNMIK-un që të pyesin veten se për çka po paguajnë në këtë mision.
Ndërkaq për raportin, ajo ka thënë se mesazhi i SHBA-së është i thjeshtë.
“Rruga e vetme përpara është normalizimi. Presidenti Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku. Shpresojmë që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, të dyja palët të ulin temperaturën dhe do të bëjnë deeskalim e do të ulen në tavolinë, do të punojmë për së afërmi me liderë që shohin nga e ardhmja jo nga e kaluara me një dialog të vërtetë e jo teatër”, ka thënë ajo.
Ndërkaq përfaqësuesi i Kinës ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht për stabilitet në Kosovë.










