Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti njoftoi se do të restaurohet Shengyl Hamami në Çarshinë e Shkupit, përcjell TV21. Mexhiti tha se pas restaurimit, objekti do të përdoret nga shoqata turke “Jeni Joll” dhe shoqata boshnjake “Lilian”.
“Shengyl Hamami është një nga monumentet më të çmuara të arkitekturës osmane në Shkup, që po merr jetë të re. Veç më kemi përgatitur projektin ideor për restaurimin dhe ridestinimin e këtij thesari historik, me qëllim që sërish të jetë në funksion të kulturës dhe qytetarëve. Pas restaurimit, Shengyl Hamami do të bëhet shtëpia e shoqatës “Jeni Joll” dhe shoqatës “Lilian”, pra njëra që përfaqëson komunitetin turk, tjetra që përfaqëson komunitetin boshnjak në komunën e Çairit, duke u shndërruar në një qendër kulturore dhe moderne për pikturë, muzikë, letërsi dhe krijimtari artistike”, tha Mexhiti.
“Shengyl Hamami është ndërtuar në shekullin e 15-të. Megjithatë, nuk dihet saktësisht nga kush është ndërtuar. Qëllimi ynë është riparimi i Shengyë Hamamit dhe kthimi i tij në një shoqatë kulture dhe arti. Në këtë shoqatë kulture dhe arti do të organizohen simpoziume të ndryshme, debate dhe punëtori”, tha njëra nga përfaqësueset e shoqatës “Jeni Joll”.





