Pas akuzave të Arben Taravarit se pas zgjedhjeve lokale të tetorit koalicioni VLEN do të zhduket dhe nuk do të ekzistojë më për shkak të humbjes së madhe që do të përjetojë ky subjekt politik në zgjedhje, ka reaguar zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti. Ai thotë se pikërisht Taravari është ai i cili shkon drejt zhdukjes, pasi që si tha Mexhiti, Taravari as vet nuk e di se ku është dhe cilit koalicion i shërben.
“Zotëri Taravari harron se cilit koalicion i shërben, sepse shpesh i ndryshon pozicionet. I huton edhe anëtarësinë, nuk e dinë se a janë me ndryshimin apo janë me të kaluarën. A janë me VLEN-in ose me BDI-në. E kuptoj, nuk ka as vula partie. Por, një gjë e është e sigurt, ku edhe ai dhe ne e dimë se pikërisht ai është duke shkuar drejt zhdukjes.”, – deklaroi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
Taravari: Pas zgjedhjeve, koalicioni VLEN do të zhduket
Ndërkohë Taravari vlerësoi se pasi ai u largua nga Qeveria, VLEN-i ende nuk ka arritur të zgjedhë kryetar, që sipas tij, është tregues i qartë se kah po shkon VLEN-i.
“Unë mendoj se formacioni VLEN nuk do të ekzistojë më. Pse? Nuk kanë razi mes vete? Mbasi u largua ASh-ja nga Qeveria, ata thanë se ne bashkohemi në një parti. U bashkuan, por kryetar nuk zgjodhën. Unë e di edhe si ndahen pozicionet. Disa prej tyre do të mbeten pa asnjë komunë, një parti politike që nuk ka bazë dhe infrastrukturë partiake nuk mund të ekzistojë.”, – theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
Taravari ditë më parë këto komente i bëri në një intervistë të dhënë për mediat në Kosovë.










