Zv/kryeministri i parë dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, përmes profilit të tij në Facebook ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj BDI-së, duke e akuzuar për manipulim të të dhënave në regjistrimin e popullsisë në Reçicë të Vogël dhe për mosvlerësim të kontributit të diasporës shqiptare.
“Diaspora ndërtoi vendin, BDI ia fshiu emrin! Meqenëse banorët e Gërçecit i kanë shpërngulur në fshatrat fqinj, le të na shpjegojnë kuadrot e kësaj partie se ku i shpërngulën banorët e Reçicës së Vogël.”
Duke iu referuar të dhënave zyrtare nga regjistrimi i vitit 2021, ai thekson se në Reçicë të Vogël janë regjistruar 1.653 banorë shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, ndërkohë që në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar u numëruan 2.402 vota shqiptare vetëm nga ky vendbanim.
Sipas Mexhitit, dallimi prej qindra votash është i pajustifikueshëm dhe ngre pikëpyetje serioze:
“Nëse pa analizuar banorët që nuk kanë votuar dhe ata nën 18 vjeç kemi mungesë prej rreth 800 banorësh, me gjithë të tjerët bëhet fjalë për një mospërputhje prej mbi 3.500 qytetarësh. A do të thotë kjo se kanë votuar edhe nën moshën 18 vjeç? Apo BDI ka shpërngulur banorët diku tjetër?”
Ai nënvizon se ky është një shembull tjetër ku, sipas tij, partia në pushtet ka ushtruar ndikim mbi proceset administrative dhe elektorale për qëllime politike, në dëm të realitetit demografik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Mexhiti kërkon transparencë dhe përgjegjësi, duke bërë thirrje që rastet e tilla të verifikohen institucionalisht.










