Trendy

Mexhiti: VLEN sjell risi në udhëheqje me modelin e dy bashkëkryetarëve

Para 2 orë

Njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti, në një paraqitje për televizionin Sitel, ka shpalosur modelin e ri organizativ dhe drejtues që pritet të zbatohet në kuadër të subjektit politik pas transformimit të tij në parti të vetme.

Sipas tij, VLEN do të aplikojë procedura të reja demokratike në udhëheqje, përfshirë modelin e kopresidencës, i cili është i pranishëm në disa vende evropiane. “Po vendosim procedura të reja demokratike të qeverisjes, siç është kopresidenca, që ekziston në BE, në Gjermani dhe në shtete të tjera evropiane, si dhe në Kosovë. Tani kjo do të zbatohet edhe tek ne”, deklaroi Mexhiti.

Ai bëri të ditur se në krye të partisë do të jenë dy bashkëkryetarë. “Unë dhe Bilall Kasami do të jemi kopresidentë, ndërsa sekretar i përgjithshëm do të jetë Bekim Sali. Nënkryetarë do të jenë Bekim Qoku dhe Mimoza Musa”, tha Mexhiti.

Mexhiti theksoi gjithashtu se një grup punues është duke përgatitur platformën politike dhe ideologjike të partisë, duke synuar një qasje më të strukturuar dhe tematike. “Grupi punues po punon intensivisht në platformën ideologjike. Risi është se nuk do të përshtatemi sipas partnerëve të qeverisjes, por do të kemi një orientim të qartë”, tha ai. Sipas tij, VLEN do të pozicionohet si një subjekt politik me orientim qendër të djathtë, duke synuar konsistencë ideologjike dhe qasje të qëndrueshme në skenën politike.

Trending