Trendy

Mickoski: Apasievi po tenton ta ndihmojë BDI-në në zgjedhjet lokale

Para 6 muaj

Mbështetjet e kandidatëve mes partnerëve të koalicionit qeveritar janë normale u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën për Alsat. Kjo përgjigje erdhi pas pyetjes se pse VMRO-DPMNE nuk ka nxjerrë kandidat në komuna me shumicë shqiptare. Mirëpo ajo që dyshon Mickoski, është se pse këtë e bëri E Majta, duke nxjerrë kandidatë në Tetovë, Gostivar dhe Strugë. Sipas tij, qëllimi i tyre është të shpëtojnë BDI-në.

“Ose keni ndonjë tjetër marrëveshje politike që ju të jeni proksi që një tjetër kandidat të fitojë. Si duket është kjo e dyta. E tani pse hedhin gomë shpëtimi? Sepse të gjitha anketat tregojnë se votat anti-BDI në Tetovë, Gostivar dhe Strugë janë shumë më të numërta nga votat pro BDI, por votat anti-BDI, numri më i madh janë maqedonas”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Bujar Osmani nga AKI hodhi poshtë konstatimet e Mickoskit duke thënë se BDI-në nuk e lidhë asgjë me të Majtën.

“Kryeministri dje sqaroi gjithçka. Pas asaj fjalie të kryeministrit mendoj se gjithçka më është e qartë, zgjedhjet janë të definuara. Ai tha që qëllimi i këtyre zgjedhjeve është që të zhduket BDI nga skena politike… Për ne koalicionimet duhet të kenë parime dhe në këtë spekulim nuk mund të jetë ekzistues sepse nuk është parimor. Nuk janë në vijë me parimet tona”, deklaroi Bujar Osmani – AKI.

Deputeti i së Majtës, Amar Mecinoviq, thotë se Mickoski sillet sikur i ka të gjitha votat në xhep dhe e di se kush për kë do të votojë. E vërteta sipas tyre, është se ata besojnë te kandidatët e tyre dhe do të ofrojnë platforma për qytete të caktara.

“Kryeministri mund të konstaton por ajo që ne duhet ta konstatojmë është se kjo tanimë është alarm i kuq për proceset demokratike në Republikën e Maqedonisë. Është e qartë se njerëzit që janë në pushtet janë të gatshëm t’i shfrytëzojnë njerëzit që i kanë në dispozicion, qoftë prezenca e tyre publike, qoftë institucionet nëse shkojmë përmes procesit zgjedhor. Është e qartë se qëllimi është të ngulfatet shprehja demokratike e vullnetit të qytetarëve në këto zgjedhje”, u shpreh Amar Mecinoviq – E Majta.

Partia E Majta në Tetovë kandidon me Katka Bozhinovskën, në Gostivar me Darko Grujoskin dhe në Strugë me Jovana Mojsoskën. Gjithsej ka 18 kandidatë për kryetarë komunash por mungojnë kandidatë në qytete me shumicë absolute të maqedonasve sikurse Velesi, Prilepi, Manastiri, Strumica e të tjera. /Alsat.mk

Trending