Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se koha kur kriminelët lëviznin lirshëm dhe institucionet shfrytëzoheshin për interesa personale dhe politike ka përfunduar. Këtë e tha gjatë shënimit të Ditës së Policisë së Maqedonisë – 7 Maji, në Qendrën e Trajnimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Idrizovë.
“E mbajmë mend – dhe nuk guxojmë ta harrojmë – si dukej përditshmëria jonë para disa viteve. Kriminelët ecnin lirshëm, shteti heshtte, e qytetarët jetonin me ndjenjën e pafuqisë. Kishte një kohë kur institucionet përdoreshin si mjete për interesa personale dhe politike, e jo për drejtësi. Fjalët ‘do e rregulloj’ dhe ‘do i bie telefon’ ishin më të fuqishme se ligji. Por ajo kohë ka marrë fund. Në këtë shtet nuk ka më vend për lidhje, nepotizëm dhe mbrojtje nga përgjegjësia. Ligji vlen për të gjithë – pa dallim nëse është qytetar i zakonshëm, funksionar apo biznesmen”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se fuqia e shtetit matet nga fakti nëse drejtësia arrin te të gjithë – edhe te më të fuqishmit, edhe te më të margjinalizuarit.
“Misioni juaj është i shenjtë – ta ruani rendin, por edhe ta riktheni besimin e popullit”, u tha ai pjesëtarëve të policisë.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Mickoski theksoi se siguria nuk është vetëm një shifër statistikore, por një ndjenjë që e garantojnë vetë policët – ndjenjë kur prindërit pa frikë i dërgojnë fëmijët në shkollë, kur nënat kthehen të qeta në shtëpi në orët e vona dhe kur çdo qytetar e di se shteti qëndron pas tij.










