Trendy

Mickoski: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, shumica parlamentare do t’i fitojë zgjedhjet lokale

Para 6 muaj

Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë një takimi joformal me gazetarët, porositi BDI-në të mos shpresojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 19 tetor. Sipas tij, koalicioni qeveritar do t’i fitojë shumicën e komunave, ndërsa mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk do të kishte kurrfarë dobie për shtetin si në aspektin e reformave, poashtu edhe të ekonomisë. “Nëse shkojmë në zgjedhje, për të gjitha projektet që duhet t’i zbatojmë do kemi ngërç për së paku edhe gjashtë muaj”, u shpreh Mickoski.

Në vend të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, qeveria paralajmëron reforma në gjyqësor. Deri në fund të këtij viti, në Kuvend duhet të miratohen gjashtë ligje reformuese të fushës së gjyqësorit. Ligjet, pavarësisht se është pritur deri më tani të miratohen, kanë ngecur pasi ekzekutivi refuzon që në kuadër të tyre të rriten edhe pagat për togat e zeza.

“Unë s’dua t’ua rris pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët gëzojnë besim te qytetarët vetëm 2%, madje po të kisha pasur mundësi do t’ua kisha ulur. Po bëjmë analizë si është në disa vende evropiane dhe në bazë të asaj do të shohim”, tha Mickoski.

Këto ditë, do të hyjë në procedurë qeveritare edhe Ligji për Procedurën Penale, ndërsa gati janë edhe ndryshimet e Kodit Penal. Qeveria, po konsultohet me BE-në për formulimin e neneve që ndëshkojnë shpërdorimin të detyrës zyrtare, pas ndryshimeve skandaloze të vitit 2024 kur LSDM dhe BDI miratuan ndryshimet e këtyre neneve dhe lejuan që të mos ndiqen penalisht funksionarët e dyshuar.

Kohë për zgjedhje s’do të ketë as edhe pas vitit të ri, pasi Mickoski paralajmëron që pas festave të janarit do të rritet dinamika për të gjetur zgjidhje sa i përket ngërçit me Bullgarinë, me qëllim që të hapet rruga e fillimit të bisedimeve. Kryeministri, pret nga BE që të marrin parasysh kërkesën e Maqedonisë së Veriut për garanci që Bullgaria të mos bllokojë vendin në të ardhmen për arsye bilaterale apo për çështje që nuk kanë të bëjnë me reformat.

Kryetari i opozitares LSDM, Venko Filipçe ka paralajmëruar një rezolutë që do të duhej të miratohej në Kuvend, me të cilën do të vendoseshin linja të kuqe sa i përket negocimit me Bullgarinë. Megjithatë, Mickoski tha që e presin këtë rezolutë, por LSDM ende nuk e ka dorëzuar, për të parë se çfarë përmban.

Mickoski i cili bashkë me ministrin për Eurointegrime Orhan Murtezani, prezantuan para gazetarëve tabelën e realizimit të agjendës reformuese, theksoi që vendi po i zbaton detyrat e marra nga Brukseli, me qëllim që të mos humbet kohë derisa të tejkalohet problemi me Bullgarinë respektivisht përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë. /Alsat.mk

Trending